Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Peticioni në veri, Gjoshi i PDK-së: Gjithçka po ndodh në koordinim mes Kurtit, Beogradit dhe Listës Srpska

 
   

Betim Gjoshi i PDK-së ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se është koordinuar me Beogradin e Listën Srpska për t’ia marrë mandatin kryetarëve shqiptarë.

Gjoshi tha se derisa krerët e Listës Srpska po i prijnë peticionit në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq është dëshmi për pretendimin e tij për koordinim.

“Fotografitë nga Mitrovica e Veriut, ku qytetarëve serbë të cilët po nënshkruajnë peticionin po u prijnë Goran Rakiqi e Igor Simiqi, janë dëshmi e qartë se gjithçka është në koordinim të plotë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Do të mbahet mend përgjithmonë, se ky proces është i dirigjuar nga Beogradi dhe ka aprovimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, partia e të cilit është zënë duke u koordinuar në prapaskenë me Listën Serbe e superkriminelin Milan Radojçiq. Kryeministër, nuk ka nevojë as për pyetje dhe as për sqarime. Gjithçka po duket e qartë si kristali: Ju jeni në koordinim me Beogradin dhe Listën Serbe. Kryeministër, fotografitë nga veriu i Kosovës tregojnë koordinimin dhe marrëveshjen tënde, që t’ia merrni mandatin kryetarëve që nuk janë të Listës Serbe”, ka shkruar ai.

Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq, nga sot qytetarët mund të nënshkruajnë peticionin për të shkarkuar kryetarët e komunave nga radhët e komunitetit shqiptar. Mbledhja e nënshkrimeve ka nisur në orën 09:00. Javën e ardhshme, mbledhja e nënshkrimeve pritet të nisë edhe në Zveçan dhe Zubin Potok.