Çedomir Stojkoviq, avokati i politikanit opozitar serb, Nikola Sanduloviq, ka bërë homazhe sot te varri i Blerina Jasharit, shtatëvjeçares së vrarë nga forcat serbe gjatë sulmit ndaj familjes Jashari në Prekaz në vitin 1998.
Ai në Kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz, pasi bëri nderimet dhe kërkim-faljen, tha se nuk frikësohet nga arrestimi sikur që i ndodhi politikanit opozitar serb, Nikola Sanduloviq.
Stojkoviq la edhe një mesazh, ku thuhej “Urrejtja vdes. Ti jeton përgjithmonë. Një mijë lot për një mijë vjet, dhe miliona shpresa dhe ëndrra. Të cilat fillojnë me fjalën ‘Më fal’”.
Stojkoviq: Ndjej dhembje për qytetarët e vrarë në Kosovë, nuk i frikësohem arrestimit
“Kam ardhur këtu jo vetëm për të shprehur dhimbjen time për qytetarët e vrarë pas 26 vjetësh, kam ardhur këtu jo vetëm për të nderuar viktimat, kam ardhur këtu për të përcjell një mesazh të qartë. Ne që po ndërtojmë një të ardhme më të mirë për popullin tonë nuk kemi frikë, nuk kemi pasur frikë dje, nuk kemi frikë sot dhe nuk do të kemi frikë as nesër, as nuk do të na pengojnë kurrë të ecim në rrugën e pajtimit, paqes, solidaritetit dhe drejtësisë. Nëse vendi im e ka arrestuar dhe rrahur Nikolla Sanduloviq sepse ka vendosur lule në këtë vend sipas ndërgjegjes dhe sipas mendimit të tij, tani vendi im ka mundësinë të më arrestojë edhe mua dhe t’i shpallë botës se ka një rregull të ri sipas të cilit vendosja e luleve të pajtimit në varret e kombeve të tjera dënohet me burgim. Nëse nuk është kështu, atëherë duhet t’i shpjegojnë të njëjtës botë pse trëndafilat e mi janë të ndryshëm nga trëndafilat e Nikollës apo dikujt tjetër, pse unë jam një përjashtim që nuk jam arrestuar. I arrestuar apo jo, unë do të jem ende një njeri i lirë, siç janë shumë… Liria vjen nga zemra e burrave, nga ne që nuk kemi frikë, sepse njerëzit e mirë nuk kanë pse të kenë frikë. E kemi shpjeguar tashmë vetë, nga të gjitha mesazhet që dalin nga ky vend, ky është më i rëndësishmi, liria do të fitojë gjithmonë. Blerina, urrejtja vdes, por ti do të jetosh përgjithmonë”, tha ai.
Avokati serb shkoi edhe vizitoi nga afër edhe kompleksin e Jasharëve, nga ku bëri thirrje që shqiptarët dhe serbët të jetojnë së bashku në paqe.
Ai tha se për shkak të propagandës së presidentit serb Aleksandër Vuçiq, por edhe ish-kasapit të Ballkanit, Slobodan Millosheviq, populli serb nuk e dinë se çka ka ndodhur në Kosovë.
Stojkoviq: Për shkak të propagandës së Vuçiq, serbët nuk e dinë çka ka ndodhur në Kosovë
“Ndjej zemërim për gjithçka që ndodhi. Asgjë nga kjo nuk do të duhej të ndodhte. Dhe ndjej turp sepse vendi në të cilin kam jetuar (Serbia) vrau qytetarë të këtij vendi (Kosovës). Pra, kjo nuk duhet të ndodhë më askund…Përgjigja është shumë e qartë, njerëzit në Serbi nuk e dinin se çfarë ndodhi këtu në vitet ’90 për shkak të propagandës së Millosheviqit. Ata nuk e dinë se çfarë ndodhi këtu tani për shkak të propagandës së Vuçiq. Pra, propaganda krijon gjendje shpirtërore të njerëzve, propaganda krijon urrejtje, dhe arsyeja pse regjimi po e bën këtë është sepse nëse regjimi izolon njerëzit e tij nga popujt e tjerë, atëherë regjimi mund të manipulojë me njerëzit. Kështu ndodhi saktësisht në vitet 90-ta, këtë gjë e bëri Millosheviqi, me propagandë manipuloi me njerëzit. Njerëzit fillojnë të besojnë se çdo shqiptar është kriminel dhe terrorist dhe për këtë Millosheviqi ka pasur një pushtet. Tani kur shohim se po përsëriten të njëjtat gjëra, mund të themi me vendosmëri se Aleksandër Vuçiq dëshiron më shumë pushtet dhe se dëshiron të mbetet në pozitën e pushtetit. Dhe kjo është arsyeja pse ai krijon gjithnjë e më shumë urrejtje, sepse nëse serbët mendojnë se shqiptarët janë terroristë, nëse serbët mendojnë se perëndimi i urren serbët, atëherë serbët do të izolohen vetë, me vullnetin e tyre, dhe kështu sundojnë diktatorët”, deklaroi ai.
Stojkoviq ditë më parë ka paralajmëruar se pas këtij veprimi do të dorëzohej tek autoritetet e Beogradit për t’i sfiduar dhe treguar se në Serbi ekziston një rregull i ri sipas të cilit çdo vendosje lulesh në varret e fëmijëve shqiptarë dënohet me rrahje dhe burg.
Politikani opozitar serb Nikolla Sanduloviq ishte arrestuar dhe është rrahur nga shërbimi sekret serb pikërisht për këtë arsye. Në fletarrestin ndaj tij thuhej se ai kishte nxitur urrejtje kombëtare, racore e fetare, duke e përmendur rastin kur ai pati bërë homazhe te varrezat e Jasharëve.