Volejbollistja e klubit Prishtina Volley, Vlora Hyseni ka ndërruar jetë.
Ishte klubi Prishtina Volley që dha lajmin e hidhur. Faqja e klubit në Facebook e ka cilësuar të ndjerën si një vajzë e edukuar dhe të disiplinuar, e mbi të gjitha një nënë të përkushtuar.
“Komuniteti i volejbollit, sot më datë 18.01.2024, humbi një ndër volejbollistet më të mirë të klubit tonë, Vlora Hysenin. Do të mbetesh e paharruar në kujtimet tona Vlora. I lehtë të qoftë dheu. Pusho në paqe”, shkruhej në njoftimin e klubit Prishtina Volley.
Përveç, klubit prishtinas, edhe Federata e Volejbollit e Kosovës ka dërguar një telegram ngushëllimi pas vdekjes së Vlora Hysenit.
“Me dhimbje e morëm lajmin e hidhur për kalimin në amshim të ish-volejbollistes Vlora Hyseni. Vlora, që kontribuoi drejtpërdrejt në sportin kryeqytetas duke qenë pjesë e klubit Mabetex e më vonë edhe Kolegji AAB, do të kujtohet përherë për pozitivitetin dhe profesionalizmin”.
“Humbja e Vlorës, lë boshllëk në komunitetin tonë, por ajo do të mbetet mes nesh përherë për kujtimet e mira që na la. FVK i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes Hyseni, miqve e dashamirëve, me të cilët rrethohej në jetë e karrierë”, thuhet në telegramin e FVK-së.