Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Këto janë pyetjet e përgjigjet më të shpeshta mbi Rregulloren për operacionet me paratë e gatshme

 
   

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), me qëllim të informimit sa më të saktë të opinionit dhe pyetjet që ka pranuar mbi përdorimin e valutës euro si mjet i vetëm pagese, të ngritura pas aprovimit të Rregullores për operacionet me paratë e gatshme, ka përgatitur dhe publikuar dokumentin “Pyetjet dhe përgjigjet më të shpeshta mbi Rregulloren për operacionet me paratë e gatshme”.

Rregullorja adreson çështje si procedurat e trajtimit dhe tërheqjes nga qarkullimi të kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe të valutave të tjera të dyshuara si të falsifikuara; kriteret për këmbimin e kartëmonedhave dhe monedhave euro të dëmtuara; standardet minimale për kontrollin e përshtatshmërisë dhe ri-qarkullimin e kartëmonedhave dhe monedhave euro.

Po ashtu, përfshihen standardet për paketimin e kartëmonedhave dhe monedhave euro për depozitim në BQK; kushtet për transaksionet e pagesave me para të gatshme; rregullat dhe detyrimet për importin dhe eksportin e kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe valutave të tjera prej/dhe në Kosovë; dhe procedurat dhe detyrimet për ofruesit e shërbimeve të depozitimit apo tërheqjes së parave të gatshme përmes makinerive që përdoren nga klienti.

Kjo rregullore është miratuar nga Bordi i BQK-së më 27 dhjetor 2023 dhe hyn në fuqi më 1 shkurt 2024.

1. Çfarë përmban Rregullorja për Operacione me Paratë e Gatshme?

Rregullorja për Operacione me Paratë e Gatshme përmban 8 kapituj, ku ndër të tjera përfshinë:

− Trajtimi dhe tërheqja nga qarkullimi i kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe valutave të tjera të dyshuara si të falsifikuara;

− Këmbimi i kartëmonedhave dhe monedhave euro të dëmtuara;

− Standardet minimale për kontrollin dhe ri-qarkullimin e kartëmonedhave dhe monedhave euro;

− Standardet për paketimin e kartëmonedhave dhe monedhave euro për depozitim në BQK;

− Kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme;

− Importi dhe eksporti i kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe valutave të tjera në Kosovë; dhe

− Rregullimi i ofrimit të shërbimeve me para të gatshme përmes makinerive që përdoren nga klientët.

2. Cili është qëllimi i Rregullores për Operacione me Paratë e Gatshme?

Qëllimi i kësaj Rregulloreje është të avancojë dhe përcaktojë standardet rregullative për realizimin profesional të detyrave të institucioneve financiare në lëmin e operacioneve me para të gatshme, duke përfshirë:

− Kontrollin mbi valutën, cilësinë si dhe sasinë e parave qe hyjnë dhe dalin në treg;

− Mbrojtjen e integritetit të sistemit financiar dhe të valutës euro;

− Luftën ndaj parasë së falsifikuar;

− mbrojtjen e konsumatorit dhe avancimin e praktikave të tregut;

− Luftën ndaj aktiviteteve të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit; dhe

− Adresimin e çështjeve tjera që ndërlidhen me fushëveprimin e BQK-së.

Rregullorja më konkretisht, përveç tjerash, adreson çështjet në vijim:

− Procedurat e trajtimit dhe tërheqjes nga qarkullimi të kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe të valutave të tjera të dyshuara si të falsifikuara;

− Kriteret për këmbimin e kartëmonedhave dhe monedhave euro të dëmtuara;

− Standardet minimale për kontrollin e përshtatshmërisë dhe ri-qarkullimin e kartëmonedhave dhe monedhave euro, për qëllim të ruajtjes së cilësisë të valutës në qarkullim;

− Standardet për paketimin e kartëmonedhave dhe monedhave euro për depozitim në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës;

− Kushtet për transaksionet e pagesave me para të gatshme;

− Rregullat dhe detyrimet për importin dhe eksportin e kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe valutave të tjera prej dhe në Republikën e

Kosovës; dhe

− Procedurat dhe detyrimet për ofruesit e shërbimeve të depozitimit apo tërheqjes së parave të gatshme përmes makinerive që përdoren nga

klienti.

3. Kush është subjekt i Rregullores për Operacione me Paratë e Gatshme?

Subjekte të fushëveprimit të kësaj Rregullore janë BQK, bankat dhe degët e bankave të huaja, si dhe institucionet e tjera financiare, të licencuara nga BQK për të ushtruar veprimtari bankare dhe financiare në Kosovë.

4. Cilat janë obligimet kryesore që burojnë nga Rregullorja për operacione me paratë e gatshme?

− Kontrollin e autenticitetit dhe përshtatshmërisë (cilësisë) të valutës nga bankat dhe institucionet jo bankare;

− Identifikimin dhe parandalimin e futjes në qarkullim dhe në sistemin financiar të parave të falsifikuara apo të dyshuara;

− Konfiskimin dhe raportimin e valutave të dyshuara si të falsifikuara te organet e rendit;

− Tërheqja nga qarkullimi i valutave të dëmtuara/papërshtatshme për ri-qarkullim;

− Futja në qarkullim vetëm e valutave që janë ende të përshtatshme për ri-qarkullim (pasi të kenë kaluar testin e përshtatshmërisë);

− Institucionet financiare bankare dhe jo-bankare obligohen që të ndalojnë ri-qarkullimin e kartëmonedhës ekzistuese në vlerë prej 500 eurosh;

− Importi dhe eksporti i kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe valutave të tjera në Republikën e Kosovës mund të bëhet vetëm për dhe nga institucionet financiare bankare dhe jo-bankare të licencuara nga Banka Qendrore e Kosovës për ushtrimin e aktiviteteve financiare bankare; dhe

− Personat fizikë dhe personat juridikë që nuk ushtrojnë veprimtari financiare, janë të obliguar që të bëjnë deklarimin doganor të monedhave nëse bartin më shumë se 100 copë/njësi pavarësisht nga vlera monetare.

5. Çka nënkupton ndalimi i ri-qarkullimit të kartëmonedhës 500 euro?

Duke filluar nga data 1 shkurt 2024, të gjitha institucionet financiare bankare dhe jo-bankare janë të obliguara që të ndalojnë ri-qarkullimin e kartëmonedhës 500 euro te klientët e tyre. Kjo nuk nënkupton ndalimin e qarkullimit te saj ndërmjet palëve si mjet i ligjshëm i pagesës. Kur e njëjta deponohet nga klientët, e njëjta nuk rikthehet më në qarkullim nga institucionet financiare.

Gjithashtu, klientët mund ta konvertojnë në institucionet financiare kartëmonedhën 500 euro në denominime më të vogla sikurse janë 200 euro, 100 euro, 50 euro, 20 euro, 10 euro, 5 euro dhe të tjera.

6. Cila është valuta e vlefshme për pagesa dhe a lejohet përdorimi i valutave tjera?

Valuta e vetme e vlefshme të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin kombëtar të pagesave (SNP/KIPS) në Kosovë është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të nenit 11 të Kushtetutës së Kosovës dhe neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për BQK-në.

BQK është autoriteti i vetëm monetar në Kosovë që mund të vendosë për valutën e vlefshme për kryerjen e pagesave dhe denominimet përkatëse.

Valutat tjera jo euro mund të përdoren në Kosovë si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor.

Këmbimet valutore mund të kryhen në Kosovë vetëm përmes institucioneve të licencuara nga BQK që ofrojnë këtë shërbim, për te gjitha valutat pa përjashtim nga aspekti rregullativ.

7. A mund të përdoren si mjet pagese valutat tjera jo-euro?

Valutë e vlefshme për pagesë si mjet pagese i ligjshëm është vetëm euro.

Valutat tjera jo euro mund të përdoren si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor, pa kufizim.

Megjithatë, subjekt i kësaj rregulloreje nuk janë aspektet e transaksioneve vullnetare ndërmjet palëve dhe rreziqet që bartin transaksionet e tilla janë përgjegjësi e palëve të përfshira në to.

8. Kush dhe si mund të importojë dhe eksportojë kartëmonedha dhe monedha euro dhe valuta të tjera në Republikën e Kosovës?

Importi dhe eksporti i kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe valutave të tjera në Kosovë mund të bëhet vetëm për dhe nga institucionet financiare bankare dhe jo-bankare të licencuara nga BQK për ushtrimin e aktiviteteve financiare bankare.

Institucionet financiare bankare dhe jo-bankare të licencuara nga BQK për ushtrimin e aktiviteteve financiare mund të importojnë apo eksportojnë kartëmonedha dhe monedha vetëm pas dhënies së licencës dhe autorizimit të veçantë me shkrim nga Banka Qendrore e Kosovës për këtë shërbim.

Importi apo eksporti ndërkufitar i kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe valutave të tjera nga dhe për në Republikën e Kosovës, mund të lejohet vetëm përmes paraqitjes së dëshmisë së licencës dhe autorizimit të lëshuar nga Banka Qendrore e Kosovës tek autoritetet kufitare.

9. A kanë të drejtë personat juridikë që nuk janë të licencuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës të importojnë dhe eksportojnë valuta?

Personat juridikë që nuk janë të licencuar nga Banka Qendrore e Kosovës për ushtrimin e veprimtarisë financiare bankare ose jo-bankare në Kosovë, NUK kanë të drejtë të bartin dhe transportojnë apo të barten apo transportohen në emër të tyre kartëmonedha dhe monedha euro dhe valuta të tjera prej/dhe në Kosovë.

10. Si bëhet trajtimi dhe tërheqja nga qarkullimi i kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe valutave të tjera të dyshuara si të falsifikuara nga institucionet financiare?

Institucionet financiare obligohen të parandalojnë futjen në qarkullim dhe në sistemin financiar të parave të falsifikuara apo të dyshuara, përmes identifikimit, konfiskimit dhe tërheqjes nga qarkullimi të kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe valutat tjera të pranuara nga palët, të cilat ata i dinë ose kanë arsye të mjaftueshme të besojnë që janë të falsifikuara.

Institucionet financiare, duhet të sigurojnë se të gjitha kartëmonedhat dhe monedhat euro dhe valutat e tjera që pranojnë gjatë veprimtarisë së tyre, t’i kontrollojnë për vërtetësi dhe përshtatshmëri sipas përcaktimeve të kësaj rregullore para se t’i ri-qarkullojnë, depozitojnë në BQK apo dërgojnë jashtë vendit.

11. Si sigurohet cilësia dhe integriteti i valutës në qarkullim?

Institucionet financiare, duhet të sigurojnë që kartëmonedhat euro që pranojnë gjatë veprimtarisë së tyre dhe që kanë për qëllim t’i hedhin përsëri në qarkullim, të kontrollohen për autenticitet dhe përshtatshmëri sipas përcaktimeve të kësaj rregulloreje.

Pas verifikimit te cilësisë varësisht nga përshtatshmëria: (a) nëse nuk janë të përshtatshme ose dëmtuara bëhet tërheqja nga qarkullimi i kartëmonedhave dhe monedhave për ri-qarkullim, kurse (b) nëse janë të përshtatshme (kualitet i mirë) bëhet ri-qarkullimi përkatësisht ri-kthimi në ekonomi.

Gjithashtu, cilësia dhe integriteti i parave në qarkullim sigurohet edhe kur Banka Qendrore e Kosovës furnizon bankat me sasi të konsiderueshme të kartëmonedhave dhe monedhave plotësisht të reja, të sjella nga Eurozona. Bankat komerciale pastaj lëshojnë në qarkullim në ekonomi të njëjtat.

12. Kush mund të ofrojë shërbime të tërheqjes ose depozitimit të parave të gatshme përmes makinerive përkatëse (financiare)?

Bankat si institucione të licencuara për ushtrimin e aktivitetit bankar mund të ofrojnë shërbime të tërheqjes ose depozitimit të parave të gatshme përmes makinerive përkatëse (financiare).

Institucionet financiare jo-bankare që janë të licencuara nga Banka Qendrore e Kosovës, të cilat ofrojnë llogari të pagesave dhe parave elektronike, duhet të marrin licencën dhe autorizimin shtesë nga BQK për ofrimin e shërbimit të depozitimit apo tërheqjes së parave të gatshme, apo blerjen dhe ri-kthimin e parave elektronike përmes makinave që përdoren nga klienti.

Asnjë person fizik apo juridik nuk mund të ofrojë shërbime të depozitimit apo të tërheqjes së parave të gatshme përmes ndonjë lokacioni me shërbim fizik apo përmes ndonjë pajisje apo makine që përdoret nga klienti, në emër të ofrimit të shërbimeve financiare pa posedim të licencës dhe autorizimit nga BQK-ja.

13. Pse është e rëndësishme që institucioni që ofron shërbime të tërheqjes ose depozitimit të parave të gatshme përmes makinerive përkatëse (financiare) të jetë i licencuar?

Përveç aspekteve tjera, operimi me pajisje që ofron shërbime të tërheqjes ose depozitimit të parave të gatshme përmes makinerive përkatëse (financiare) ka përgjegjësi që lidhen me kujdesin e duhur për qytetarin si në aspektin e parandalimit të futjes në qarkullim të parave të falsifikuara (furnizimi i pajisjes elektronike), parandalimit të pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, e deri tek kontrolli financiar dhe auditimi.

Gjithashtu, kur BQK trajton kërkesat për licencim si institucion financiar, përveç kërkesave tjera rregullative dhe ligjore, shqyrton edhe përshtatshmërinë e pronarëve dhe drejtuesve të institucionit financiar.

Në këtë mënyrë edhe obligohet institucioni financiar që furnizimin me para të gatshme të makinave që përdoren nga klienti, të bëhet ekskluzivisht vetëm me kartëmonedha dhe monedha ose të furnizuara nga BQK ose me kartëmonedha dhe monedha të siguruara nga bankat.

14. Kush mund të importojë pajisje ose makina teknike-elektronike për shërbime të tërheqjes dhe depozitimit të parave?

Importimi i pajisjeve ose makinave teknike-elektronike për shërbime të tërheqjes dhe depozitimit të parave mund të bëhet vetëm nga institucionet e licencuara financiare për ofrim të aktiviteteve bankare apo institucionet financiare jo-bankare me shërbime të licencuara për para elektronike dhe shërbimet e pagesave.

Asnjë person fizik apo juridik nuk mund të importojë dhe pajiset me makina teknike-elektronike për shërbime të tërheqjes dhe depozitimit të parave nëse nuk është i licencuar si institucion financiar për ofrim të aktiviteteve bankare, apo institucion financiar jo-bankar me shërbime të licencuara për para elektronike dhe shërbimet e pagesave.

Ndalesat e përcaktuara në nenin 47 me paragrafët 2, 3 dhe 4 nuk aplikohen për subjektet/entitetet biznesore, të cilat posedojnë autorizimet përkatëse nga bankat apo institucionet financiare të licencuara për furnizim me makina të tilla.

Licenca dhe autorizimi i veçantë për ofrimin e shërbimeve të transaksioneve me para të gatshme të depozitimit apo të tërheqjes përmes makinerive që përdoren nga klienti kërkohet të dëshmohet te autoritetet përkatëse kufitare me rastin e importimit të të njëjtave.

15. Cilat janë procedurat nëse një entitet juridik është i interesuar të ofrojë shërbime të tërheqjes dhe depozitimit të parave përmes pajisjeve ose makinave teknike-elektronike?

Vetëm institucionet financiare të licencuara dhe që kanë licencë dhe autorizim të veçantë nga BQK mund të ofrojnë shërbimet e depozitimit apo të tërheqjes së parave të gatshme përmes ndonjë lokacioni me shërbim fizik apo përmes ndonjë pajisje apo makine që përdoret nga klienti, në emër të ofrimit të shërbimeve financiare.

Prandaj, çdo entitet juridik që planifikon ose aktualisht zhvillon aktivitet të tillë apo të ngjashëm, pa licencë adekuate, duhet të aplikoj dhe t`i nënshtrohet procedurës standarde të licencimit nga BQK brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje.

Vetëm pas pajisjes me licencë dhe autorizim nga BQK për ofrimin e këtij shërbimi, shërbimet e tilla lejohet të ofrohen.

16. Çfarë nënkupton në kuptim të rregullores “makina për deponim apo tërheqje të parave të gatshme”

Makina për deponim apo tërheqje të parave të gatshme – janë makinat që përdoren nga klientët, të cilat ofrohen nga bankat apo Institucionet tjera financiare, të cilat mundësojnë deponimin apo tërheqjen e parave të gatshme, përfshirë makinat që mundësojnë blerjen e parave elektronike apo rikthimin e tyre në para të gatshme, si dhe çdo makinë e ngjashme që mundëson transaksionin e konvertimit të kripto-aseteve apo në para të gatshme ose e kundërta.

17. A janë në fushëveprim të Rregullores edhe makinat për deponim apo tërheqje të parave të gatshme të konvertimit të kripto-aseteve apo në para të gatshme ose e kundërta?

Pa përjashtim, çdo entitet juridik që planifikon ose aktualisht zhvillon aktivitet të tillë të konvertimit të kripto-aseteve në para të gatshme apo e kundërta apo të ngjashëm, nuk mund të ofrojë shërbimin e tërheqjes dhe depozitimit të parave të gatshme pa posedimin e licencës adekuate.

Entiteti që ofron këto shërbime, duhet të aplikoj dhe t`i nënshtrohet procedurës së licencimit nga BQK, brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje (1 mars 2024).

Për sqarim, aktiviteti i kripto-aseteve nuk është subjekt i kësaj rregulloreje dhe as nuk paragjykon të drejtën ose jo për përdorimin e kripto-aseteve, bazuar në legjislacionin aktual në fuqi. Megjithatë, nga aspekti i parasë së gatshme, përkatësisht furnizimi, tërheqja dhe deponimi i parave të gatshme si veprime financiare, ato janë subjekt i rregullores, dhe për këtë qëllim, entiteti pa licencë dhe leje të BQK-së këto shërbime nuk mund t’i ofrojë.

18. A janë vendosur kufizime nga Rregullorja për hapjen e llogarive në valuta jo-euro?

Rregullorja nuk ka vendosur kufizime dhe lejon hapjen e llogarive në të gjitha valutat për të cilat institucioni financiar ofron dhe klienti pajton.

19. Në llogaritë e hapura në Euro në banke komerciale, a mund të pranohen transfere nga valutat tjera jo-euro të dërguara nga një shtet tjetër?

Rregullorja nuk ka vendosur asnjë kufizim sa i përket transferit ndërkombëtar të mjeteve në llogari. Prandaj, transferi në çfarëdo valute që niset nga vendi huaj, mund të pranohet dhe konvertohet në euro në vlerë ekuivalente me kursin përkatës, sipas procedurave të vet bankës së klientit.

20. A ka vendosur Rregullorja kufizime për institucionet financiare të licencuara nga BQK për ushtrimin e aktiviteteve këmbimore për ndonjë valutë, dhe si rregullohet kursi zyrtar i këmbimit euro-valutë tjetër?

Rregullorja nuk ka vendosur kufizime apo pengesa për institucionet financiare të licencuara nga BQK për ushtrimin e aktiviteteve këmbimore për asnjë valutë.

Kurset e këmbimit nuk përcaktohen nga BQK, ndërsa të njëjtat ofrohen në mënyrë transparente nga të gjitha institucionet financiare të licencuara nga BQK për ofrimin e shërbimeve të tilla.

Rreziku valutor dhe rreziqet tjera që lindin nga përdorimi i valutave jo-euro nga qytetarët nuk janë në fushëveprimin e kësaj rregulloreje.

Shënim: Ky dokument ka qëllim të orientimit dhe nuk përben referencë ligjore