Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Alarmante/ Rreth 400 autobusë përplot me udhëtarë po nisen çdo ditë nga Prishtina për në Evropë

 
   

Hapja e dyerve nga ana e Bashkimit Evropian për lëvizje të lirë prej 1 janarit 2024 ka bërë që shumë kosovarë t’i mbyllin dyert e shtëpive, duke synuar gjetjen e një vendi më të mirë pune në Gjermani, Belgjikë, apo Slloveni,…

Nga 1 janari 2024 kur ka hyrë në fuqi liberalizimi i vizave nga Bashkimi Evropian për kosovarët, terminali i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” është përplot me udhëtarë, njëjtë siç është edhe Stacioni i Autobusëve në Prishtinë.

Nga ky i fundit kanë dhënë statistika alarmante të udhëtimit të kosovarëve drejt vendeve të ndryshme të Bashkimit Evropian këtë fillim vit.

Shqipe Durmishi, zëdhënëse e Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, ka bërë të ditur se nga 1 janari 2024, kur ka filluar lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në Zonën Schengen, mesatarja ditore e nisjes së autobusëve nga Prishtina është 380-400 autobusë.

A shkuan 300 mijë qytetarë me autobusë në Evropë vetëm për dy javë nga Prishtina?

Ndonëse Durmishi nuk ka treguar se numrin e përgjithshëm të autobusë që janë nisur në dyjavëshin e parë të janarit 2024 nga Prishtina, sipas një kalkulimi të thjeshtë del se për 15 ditë rreth 6000 autobusë me udhëtarë janë nisur vetëm nga Stacioni i Autobusëve në Prishtinë.

Nëse llogaritet se në një autobusë mund të transportohen 50 udhëtarë, del që vetëm për dy javë hiç më pak se 300,000 veta kanë shkuar me autobusë nga Prishtina për në qytete të ndryshme të Bashkimit Evropian.

Sipas Durmishit nga Stacioni i Autobusëve në Prishtinë për shkak të kthimit të mërgimtarëve dhe shtimit të numrit të vizitave turistike nga kosovarët për në BE ka ndikuar që të rritet kërkesa për shtimin e linjave të autobusëve nga transportuesit.

“Gjermania, Sllovenia, Zvicra, Belgjika janë shtetet ku ka më së shumti linja me autobusë nga Prishtina”, shprehet Durmishi.

Kjo e fundit pranon se krahasuar me vitin 2023, këtë vit ka rritje, siç thotë ajo, graduale të linjave ndërurbane dhe ndërkombëtare. “Kostoja më e lirë e transportit rrugor gjithashtu edhe benefitet e bagazhit që po ju ofrohen udhëtareve po e rrisin edhe kërkesën për të udhëtuar me autobus”, shprehet Durmishi.

 Kurtishaj: Fluksi i udhëtimeve ka rënë pas 15 janarit

Ruzhdi Kurtishaj nga kompania “Sharr Travel” thotë se që nga 1 janari deri më 15 janar 2024 numri i udhëtarëve që kanë zgjedhur kompaninë e tij për të shkuar në Evropë ka qenë shumë i lartë. “Këtë numër e ka ngritur diaspora që ka qenë për festat e fundvitit në Kosovë, por një fluks i tillë ka rënë pas 15 janarit”, shprehet Kurtishaj.

Përpos qindra qytetarëve që kanë udhëtuar më kompaninë e tij në Zvicër, 1500 qytetarë i kanë shfrytëzuar ofertat për ta vizituar Selanikun.

Zogaj nga Instituti GAP: Punësimi, arsyeja kryesore e emigrimit

Në anën tjetër, Anisa Zogaj nga Instituti “GAP” ka theksuar se sipas disa anketave bëra, 28.2% e qytetarëve cilësuan mundësitë më të mira për punësim si arsyeja kryesore e cila i shtynë ata të planifikojnë emigrimin pas liberalizimit të vizave, ndjekur me përmirësimin e cilësisë së jetesës për veten dhe familjen (arsimi, shëndetësia, siguria, etj) me 26.3%, pagat më të larta me 22.4%, zhvillimi në karrierë me 14.1% dhe krijimi i familjes apo bashkimi familjar me 9%.

Në dhjetor 2023, Instituti GAP zhvilloi një anketë për të matur prirjet e qytetarëve për të emigruar qysh në pjesën e parë të vitit 2024 (janar-mars).

“Rezultatet e anketës tregojnë se rreth 28% e qytetarëve të Kosovës mbi 18 vjeç planifikojnë të emigrojnë në këtë periudhë. Kjo shifër del të jetë më e ulët se matjet e bëra më herët nga organizata të ndryshme, sikurse në vitet 2007 (mbi 30%), 2012 (34%), 2014 (43%), dhe 2018 (59%). Bazuar në evidencën nga vitet e mëhershme, ndonëse kjo prirje për të emigruar në vitin 2024 nuk pritet të realizohet brenda vitit, ajo tregon se tendenca për të emigruar mbetet e lartë. Ne vitin 2015 i cili poashtu paraqet edhe vitin qe ka shënuar shkallen me të lartë të emigrimit, jo më shume se 4% e popullsisë së Kosovës është larguar. Gjithsesi, duke pasur parasysh se në periudhë 10 vjeçare (2012-2022) nga Kosova janë larguar mbi 338 mijë persona, ky rezultat është indikator shqetësues sepse tregon tendencën e lartë për tu larguar nga Kosova e cila pritet të realizohet brenda disa viteve”, ka bërë ditur Zogaj nga Instituti GAP.

 Sociologu Kamberi: Ky trend i emigrimit nuk është sinjal i mirë për shoqërinë

Ferdi Kamberi, sociolog, thotë se migrimi është një fenomen social që ndodhë në çdo shoqëri dhe kulturë. Sipas tij, migrimet kanë qenë karakteristikë e shoqërisë shqiptare qysh herët për shkak të rrethanave sociale të krijuara. “Tani më me liberalizimin e vizave, kemi parë një trend të rritjes së migrimit, i cili padyshim se përfshinë një mori të faktorëve: migrimi për shkak të një standardi më të lartë të jetesës në vendet perëndimore, bashkimi familjar, punësimi, migrimi sezonal, pastaj migrimi për shkaqe shëndetësore, studimet, si shkaqet tjera”, ka pohuar Kamberi, duke shtuar se  ky trend i migrimit nuk është i pranishëm vetëm tek shoqëria kosovare, një gjë e tillë po ndodhë edhe në vendet rajonale dhe në disa vende të BE-së, shembull me shtetet, si: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Rumania, Bullgaria, Kroacia, Serbia, Mali I Zi, Hungaria, etj.

“Kujtoj se ky trend i rritjes së migrimit nuk është sinjal i mirë për shoqërinë kosovare, pasi që kryesisht janë mosha e re dhe ajo e mesme të cilët migrojnë dhe ne rrezikojmë që të kemi një trend negativ të mbylljes së bizneseve, shkurtimit të vendeve të punës, mbylljes së shkollave dhe kolegjeve universitare, për shkak se kategoria kryesore e cila është duke migruar është kryesisht mosha e re. Gjithashtu, kujtoj se kjo do të reflekton në probleme të konsiderueshme të mplakjes së popullsisë dhe pasojave tjera eventuale që mund të vijnë.””, ka potencuar Kamberi.

Përndryshe, Kosova ka një histori të gjatë të largimit të qytetarëve të saj; histori e cila ka kaluar në faza të ndryshme. Faza e parë e emigrimit filloi në vitet e 1960-ta, për arsye ekonomike.

Faza e dytë e emigrimit ( vitet 1981-89) përmbante më shumë gjurmë politike, ndonëse kushtet e rënda ekonomike vazhdonin të luanin rol të rëndësishëm në emigrimin nga Kosova. Faza e tretë njëkohësisht, faza më dramatike e zhvendosjes masive të popullsisë, ndodhi në vitet 1998-99, gjatë luftës në Kosovë. Faza e katërt e emigrimit përfshin vitet e pasluftës deri në vitin 2015, ku qytetarët e Kosovës emigruan drejt vendeve perëndimore për arsye ekonomike, pesimizëm politik dhe arsye sociale.