Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Veprimtari në SHBA nxjerr të dhëna të rralla për projektin 25 vjeçar amerikan për ushtrinë e Kosovës, i reagon ashpër kongresistes

 
   

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pranuar kërkesën e Kosovës për të blerë 246 raketa kundërtanke “Javelin”.

Në njoftimin e lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit më 11 janar, u konfirmua se administrata amerikane, ka njoftuar Kongresin për propozimin e programit për Shitjet e Huaja Ushtarake (FMS) për rastin e shitjes së raketave “Javelin” dhe pajisjeve të tjera të lidhura me to për Kosovën.

“Shitja e këtyre armëve, mbështet “politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së, duke përmirësuar sigurinë e Kosovës dhe zhvillimin e aftësive të saj mbrojtëse, të ndërveprueshme me NATO-n, pa ndryshuar ekuilibrin thelbësor ushtarak në rajon ose pa ndikuar në gatishmërinë mbrojtëse të SHBA-së”, u tha nga DASH-i.

Edhe sipas veprimtarit shqiptar në Amerikë, Ramazan Bekteshi, shitja e armëve, është një vazhdimësi e punës 25 vjeçare të SHBA-së në trajnimin e ushtrisë së Kosovës.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, analisti politik ka përmendur kronologjinë e ndihmës amerikane për Kosovën, me momentin historik të vitit 2008, kur presidenti i atëhershëm George Bush, i kishte mundësuar Kosovës artikuj dhe shërbime të mbrojtjes.

 Image
 Ramazan Bekteshi 
 

“Miratimi i kërkesës së Kosovës për blerjen e sistemeve “Javelin” nga SHBA-ja është një kontinuitet i një pune 25 vjeçare të SHBA-së në trajnimin e ushtrisë sonë të ardhme në të gjitha fazat pas përfundimit të luftës prej demilitarizimit të UÇK-së në Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Pas shpalljes së pavarësisë me 2008 dhe pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, pra me 21 janar 2009 themelohet Forca e Sigurisë e Kosovës (FSK) që është kategori kushtetuese.

S’duhet harruar momentin historik të 19 marsit, 2008-të, kur Presidenti Bush ka nënshkruar “Presidential Determination” duke ia mundësuar Kosovës të pranojë artikuj dhe shërbime të mbrojtjes nën rregullat e “Aktit të Ndihmës së Huaj dhe Aktit të Kontrollit të Eksportit të Armëve” dhe kronologjia e lavdishme e ndihmës amerikane vazhdon”, kujton Bekteshi.

Ai ka folur edhe për trajnimet e pjesëtarëve të FSK-së në akademitë e ushtrisë amerikane dhe donacionet me sisteme të ndryshme të armatimit dhe pajisjeve logjistike, duke theksuar se SHBA-të kanë mbështetur fuqishëm ndryshimin e misionit të FSK-së.

“Që nga viti 2009, pjesëtarët e FSK-së janë shkolluar në akademitë (West Point, Air Force Academy) dhe në shkollat e Ushtrisë Amerikane duke filluar nga Kurset Bazike të Oficerëve, Kolegjet e Shtabit dhe Komandës së Bashkuar e deri në Kolegjin Kombëtar të Luftës. Por jo vetëm kaq, bashkëpunime dhe shkollime të personelit të FSK-së janë kryer edhe në Britani, Gjermani, Kroaci, Shqipëri, dhe Turqi.

FSK-ja shkollohet, bashkëpunon dhe prokuron sisteme të armatimit nga shtetet anëtare të NATO-s, për dallim nga Serbia, që blen sisteme të armatimit dhe bashkëpunon me Rusinë, Kinën dhe Iranin.

Në vitin 2018 miratohen tre ligje të rëndësishme: Ligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Ligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligji për Shërbim në FSK. Gjatë gjithë këtyre fazave vlen të theksohet se SHBA-të kanë mbështetur fuqishëm ndryshimin e misionit të FSK-së, madje jo vetëm që e kanë ndihmuar këtë proces, por edhe e kanë bashkë-dizajnuar Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit.

Pra, misionin e FSK-së e përcaktojnë këto ligje: Të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, mbështetjen ushtarake për autoritetet civile dhe pjesëmarrjen në misionet dhe operacionet paqeruajtëse ndërkombëtare. Që nga themelimi i saj, FSK-ja ka prokuruar dhe ka pranuar si donacione sisteme të ndryshme të armatimit dhe pajisjeve logjistike nga SHBA si: Armatim të lehtë, armatim të këmbësorisë, Automjete HMVËË, ASV, sisteme të komunikimit HARRIS e shumë pajisje të tjera të prodhimit amerikan”.

“Këto programe janë zbatuar përmes programeve të SHBA-së si: Foreign Military Sales, Foreign Military Finance, etj. Ndërsa, shkollimet kryesisht realizohen përmes International Military Education and Training, fond që ndahet nga Kongresi i SHBA-së për Kosovën”, ka thënë analisti.

Ai e ka vlerësuar si proces normal në marrëdhëniet bilaterale Kosovë-SHBA blerjen e raketave “Javelin”, që sipas tij, është ndërtuar me dekada, për shkak se edhe FSK-ja është dëshmuar si partner serioz. Ndaj, Bekteshi ka shprehur bindjen e tij se Kosova do të jetë anëtare e re e NATO-s.

“Autorizimi dhe blerja e sistemeve “Javelin”, nuk është as më shumë e as më pak sesa një proces normal në marrëdhëniet bilaterale në fushën e mbrojtjes në mes të SHBA-ve dhe Kosovës. Kjo marrëdhënie është ndërtuar me dekada dhe SHBA-ja ka qenë kyçe në ndërtimin e FSK-së, Ushtrisë së Kosovës. SHBA-ja mundësoi edhe dislokimin e parë historik të Kosovës në vitin 2021 në operacionin “Inherent Resolve” në Kuvajt. Gjithashtu, FSK-ja dhe Kosova kanë mbështetur “Operacionin e Shpëtimit të Afganëve” (ndër të paktat shtete në botë) si dhe është pjesë aktive e Grupit të Kontaktit së Mbrojtjes për Ukrainën (Ukraine Defense Contact Group).

FSK-ja ka dëshmuar se është partner serioz, kredibël dhe me orientim perëndimor dhe si partner natyral i SHBA-ve dhe është tejet normale që SHBA-të të ndihmojnë në forcimin dhe modernizimin e saj. Në fakt, kompletimi i procesit të ndërtimit të Ushtrisë së Kosovës ka qenë dhe mbetet objektiv i SHBA-ve në mënyrë që aleati i saj evropian të jetë në gjendje të mbrojë sovranitetin e saj dhe të kontribuojë në sigurinë rajonale dhe globale. Nga kjo kronologji e shkurtër e zhvillimit të ushtrisë së Kosovës në horizont, shohim anëtaren e re të NATO-s”, ka theksuar më tej veprimtari.

Ndërsa, duke komentuar lidhur me rezolutën e propozuar nga kongresistja republikane Klaudia Tenney, që doli kundër shitjes së raketave, Ramazan Bekteshi ka thënë se kjo përpjekje do të dështojë. Sipas tij, kongresistja, si përkrahëse e regjimit të Aleksandar Vuçiqit, është në një linjë me zëdhënësen e Kremlinit.

“Sponsorizimi i një rezolute sipas Aktit të Kontrollit të Armëve dhe shtyrja e Presidentit që ta ndërrojë vendimin nga Kongresistja Klaudia Tenney, një republikane nga N.Y. dhe bashkëkryetare e “Serbian Caucus” është një shërbim i keq për demokracinë. Ajo është një përkrahëse e regjimit të Vuçiqit dhe lobuese e hapur e Serbisë. Ajo heshti kur regjimi serb refuzoi t’i vë sanksione Rusisë, ajo heshti kur Serbia bleu armë nga Rusia, Kina e Irani, por çuditërisht i pengon armatimi i Kosovës.

Me këtë akt, zonja në fjalë është duke injoruar sakrificat dhe investimet amerikane për të përkrahur një aleat, që e krijoi vetë SHBA-ja. Përpjekja e kongresistes është e kotë dhe do të dështojë përball projektit 25 vjeçar amerikan e që vazhdon. Ajo është në një linjë me zëdhënësen e Kremlinit, Zakharova që tha: “Ne dënojmë me vendosmëri çdo përpjekje për të armatosur strukturat ilegale ushtarake të Prishtinës.” Megjithatë, as kjo rezolutë e as kjo deklaratë s’e ndalin hovin e Ushtrisë se Kosovës. Rruga e Kosovës shpie drejt një shteti faktor në rajon, dhe si kontribues i paqes në botë është rrugë njëdrejtimëshe”, ka thënë në fund Bekteshi.

Ndryshe, blerja e raketave “Javelin”, vjen pas rritjes së buxhetit për mbrojtjen për vitin 2024. Në buxhetin e Kosovës për këtë vit, të miratuar fundin e vitit të kaluar, Ministrisë së Mbrojtjes i është ndarë buxhet në vlerë prej 153.049.911 eurosh./Botasot