Eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, në një intervistë për “Ballkan Update” theksoi se Serbia shihet si ‘delja e zezë’ pasi është një shtet që mbështet Rusinë. Duke komentuar shtimin e forcave gjermane në Kosovë, ai tha për Linda Karadakun se Serbia po tenton ta mbajë situatën të tensionuar përmes luftës hibride.
“Ka një plan sipas të cilit është një skenar i eskalimit të situatës jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë vijën lindore, në të cilën NATO kufizohet me Rusinë. Tani Serbia është një lloj deleje e zezë në këtë hapësirë sepse është i vetmi shtet që nuk është në NATO dhe i vetmi që përkrah politikat ruse. Shtimi i KFOR-it gjerman në Kosovë është në kuadër të një politike të frenimit sepse në këtë kostelacion të forcave, mendoj se Serbia do të ndërmarrë një fushatë ushtarake kundër Kosovës por do të tentojë të manipulojë serbët lokalë dhe të inskenojë situata si në Banjskë dhe përmes luftës hibride të mbajë situatën e tensionuar që gjatë gjithë kohës sa zhvillohen bisedimet, të përfitojë sa më shumë politikisht. Kjo është një politikë e vjetër serbe që nga koha e vitit 1878 kur Serbia u zgjerua deri në kufi të Kosovës. Loja e Serbisë me Evropën tërhiq mos e këput duke futur komponentin rus në mes është tradicionale serbe.”, u shpreh Kajtazi.
Sipas tij, ndërkombëtarët e kanë kuptuar se konflikti nuk është shuar por ka mbetur i ngrirë që pas përfundimit të luftës.
“Më në fund e kanë kuptuar se konflikti është i ngrirë dhe kjo është që nga lufta që nga viti 2001 që qeveria e Serbisë ka vendosur të intensifikojë luftën hibride në drejtim të Kosovës për arsye se me luftë e humbën Kosovën dhe me luftë s’e marrim por e marrim nëse shqiptarët i fusim në konflikt me bashkësinë ndërkombëtare.” shtoi eksperti.
Sa i përket stërvitjes së trupave të NATO-s, më e madhja që nga lufta e ftohtë, ai tha se mesazhi kryesor është që ‘nuk do të heqim dorë për asnjë milimetër të tërësisë territorial të Evropës.”