Komuna e Junikut ka deklaruar se KEDS është fajtor për lënien në terr të komunës nga ora 01:00 e natës së kësaj të shtune.
Sipas komunës, një erë e lehtë, reshjet e shiut e madje edhe bora bën që furnizimi me energji të ndalet.
“Përgjegjësi për këtë dështim është KEDS. Mungesa e energjisë elektrike shkakton dëme të mëdha në familjet e Junikut. Ne apelojmë tek KEDS si përgjegjës për furnizimin me energji elektrike që të bëjë evitimin dhe furnizimin me energji elektrike për banorët e Junikut sa më parë. Banorët e Junikut janë edhe paguesit më të rregullt të energjisë elektrike dhe nuk e meritojnë një trajtim të tillë” thuhet në reagimin e Komunës së Junikut.
Lidhur me këtë është kundërpërgjigjur KEDS-i.
Të njëjtit kanë deklaruar se për shkak të borës së madhe dhe kushteve të papërshtatshme në terren, është pamundësuar eliminimi i të gjitha dëmeve në rrjet.
“Duke pasur parasysh se për rregullimin e kësaj prishjeje nevojitet makineri speciale, kemi kërkuar bashkëpunimin e komunës, e cila nuk ka dalë në ndihmë. Megjithatë, KEDS e ka siguruar atë në një kompani private, për çka pritet intervenimi në mëngjes” thuhet në përgjigjen e KEDS.
nga KEDS shtojnë se qysh herët në mëngjes, ekipet do të rikthejnë furnizimin me energji dhe ka kërkuar mirëkuptim nga konsumatorët në rrethin e Junikut.