Platforma “Global Fire Power” e cila për çdo vit bënë vlerësimin e fuqisë ushtarake për 145 shtete të botës, ushtrinë e Kosovës e ka rankuar një vend më poshtë për vitin 2024, krahasuar me vitin paraprak.
Ndërkohë shtete të Rajonit, si Shqipëria, Serbia dhe Kroacia kanë fuqizuar ushtritë e tyre duke shënuar ngritje në rankimin e kësaj platforme online.
Ushtria e Kosovës po fuqizohet me armë të reja e të sofistikuara, me më shumë buxhet e më shumë ushtarë që po i shtohen rreshtit me armë në dorë.
Por, mangu kësaj fushe nuk po ia lënë as shtetet tjera në rajon e botë.
Kjo ka ndikuar që në rangimin e përvjetshëm të “GlobalFirePower” Kosova të bie për një pozitë më poshtë për nga fuqia ushtarake.
Në vitin 2024 nga 145 shtete në ranglistë, Kosova renditet e 135-ta, një vend më poshtë së në vitin 2023, kur ishte e 134-ta.
Sipas kësaj matje në përgjithësi buxheti për mbrojtje i Republikës së Kosovës kap vlerën 399 milionë dollarë për vitin 2024.
Në personel ushtarak sipas të dhënave janë të gatshëm 7500 persona, përfshirë edhe rezervistët.
Kosova sipas këtij indeksi nuk posedon asnjë mjet luftarak fluturuese, asnjë tank, por ka në inventor 922 automjete ushtarake transportuese e të blinduara.
Në këtë vlerësim mungojnë dronët “Bajraktar” të blerë së fundmi nga Turqia, anti-tankët Javelin dhe mjete të tjera ushtarake.
Shqipëria për të dytin vit me radhë ka përmirësim për nga fuqia ushtarake. Në vitin e kaluar ishte ranguar e 91 duke u ngritur për 24 vende në krahasim me vitin 2022.
Ndërkohë për vitin 2024 ajo është ngritur për një pozitë më lartë e 90-ta fuqi ushtarake.
Buxheti që Shqipëria shpenzon për mbrojtje sipas “GlobalFirePoWer” kap vlerën 386 milionë dollarë.
Sipas të dhënave Shqipëria ka 2335 ushtarë aktivë, dhe 660 pjesëtarë në forcat ajrore dhe 1000 në forcën detare. Ndërkaq posedon 19 mjete fluturuese, të gjithë janë helikopterë.
Shto këtu faktin që gjatë javës së kaluar në tokën shqiptare arritën edhe dy helikopterë prej kontigjentit të helikopterëve amerikanë UH-60 Black Hawk.