Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sociologia: Dukuria e vetëvrasjes në Kosovë është në rritje

 
   

Sociologia Makfire Ademi thotë se dukuria e vetëvrasjes në Kosovë është duke u rritur.

Madje, sipas saj rastet e vetëvrasjes vitin e kaluar ishin të shpeshta.

“Kjo dukuri  negative është duke shkuar drejt rritjes andaj mbetet sfidë për institucionet dhe shoqërinë në përgjithësi”, ka thënë ajo.

Ademi, ka treguar edhe faktorët të cilët mund të shtyjnë individin të bëjë vetëvrasje.

“Duke pasur parasysh studimet mbi aktin e vetëvrasjes mund të themi se shpesh faktori social si mos integrimi në shoqëri, mos përfshirja e individit në rrethin ku jeton, shtyen individin deri në vetëvrasje. Gjithashtu, faktorët psikologjik janë të pamohueshëm, ku stresi, depresioni, ankthi janë periudha të rënda që te disa individ shkojnë në përshkallëzim të situatës gjë që i shtyen individët në vetëvrasje. Kur flasim për faktorët psikologjik, shëndeti mendor është primar për çdo individ andaj, konsultat e rregullta  me psikologët do të ishin ideale në mënjanimin apo zbutjen e gjendjes së rënduar psikologjike për secilin”, është shprehur Ademi.

Ajo, ka treguar edhe faktorët e tjerë që mund të ndikojnë që individi të kryej vetëvrasje.

“Gjithsesi, individi është i lidhur ngushtë me kulturën dhe rrethin social ku jeton, andaj disa nga faktorët social që mund të shtyjnë individin në aktin e vetëvrasjes  janë të konsiderueshëm, si ata ekonomik, stigmatizimi në shoqëri , mos integrimi, paragjykimet, përqeshja nga të tjerët apo bullizmi i cili zakonisht atakon moshat e reja, të cilët nuk mund të përballojnë talljet nga rrethi, shoqëria ku veprojnë apo vendi i tyre i punës”, është shprehur Ademi.

Derisa ka folur për faktorët që shtyjnë në vetëvrasje, sociologia Ademi, thotë se nga kjo dukuri po preken më së shumti të rinjtë gjë që tregon se rinia po kalon në periudha të vështira.

“Ndër vite, në Kosovë raportohet për rastet e vetëvrasjes të cilat dallojnë nga rasti në rast, gjithashtu, motivet janë nga më të ndryshmet, andaj nuk mund të themi se për x motivin individët janë të prirur për kryerjen e vetëvrasjes, por që nga të gjitha rastet më së shumti u raportua për moshat kryesisht të reja gjë që na tregon se rinia në shoqërinë tonë po kalon periudha të vështira qoftë nga faktorët psikologjik apo ata social”, ka thënë tutje ajo.