Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sa parashihet dënimi maksimal për të miturit që kryejnë krime? Flet avokati

 
   

Nëse rasti i vrasjes së 18-vjeçarit në Podujevë kualifikohet “lëndim i rëndë trupor me pasoja fatale”, dënimi për dy të dyshuarit e mitur nuk mund të jetë mbi 5 vjet burgim. Nëse, në anën tjetër, kualifikohet si “vrasje e rëndë”, dënimi mund të shkojë deri në 10 vjet burgim.

Kështu ka vlerësuar avokati Asdren Hoxha, duke theksuar gjithashtu se procedura për të miturit është e ndryshme, pasi nuk mund të hetohet apo të ngrihet aktakuzë.

“Nisur nga kodi i drejtësisë për të mitur, duhet pasur parasysh dënimi për të mitur nuk mund të jetë më i vogël se gjashtë muaj, por jo edhe më i madh se pesë vjet. Në rastet ekstreme të miturit mund t’u shqiptohet dënim mbi 5 vjet, por jo më shumë se 10 vite në asnjë mënyrë, vetëm atëherë në qoftë se i mituri kryen vepër penale për të cilën parashihet dënimi më burgim të përjetshëm apo në qoftë se i kryen dy vepra në mënyrë kumulative për të cilat dënimi parashihet mbi dhjetë vite burgim” ka deklaruar Hoxha.

Sipas tij, në këtë rast kualifikimi ligjor do të jetë i vështirë “për të vërtetuar qëllimin për vrasje” dhe se afati për shqyrtimin e rastit është 24 orë, edhe aty duhet të merret vendimi për procedurën përgatitore.

Ndërkaq, psikologu Dorjan Krasniqi, duke analizuar ngjarjen, ka theksuar se mosha e të dyshuarve është e ndjeshme dhe ndryshimet emocionale dhe trupore janë të mëdha në adoleshencë.

Megjithatë, ai thotë se çdo individ duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij.

“Mosha e tyre është delikate sepse ndryshimet janë të mëdha në adoleshencë, qoftë emocionale, qoftë trupore, qoftë sociale. Mirëpo, secili duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij. Ajo që pamë në këtë rast ishte brutalitet, ka qenë një sulm i cili mendoj që qoftë me paramendim apo jo, një person është i vdekur”, ka thënë ai.

Prania e dhunës te të miturit, sipas psikologut Krasniqi, ka të bëjë edhe me mungesën e edukimit të mirfilltë.

“Ligjet e buta ndoshta edhe trajtimi i butë krahas veprës që e bëjnë, mund ta shkaktojë këtë, po ashtu keqedukimi edhe problemet që jemi duke i hasur në shkollimin e tyre, qoftë edhe në llojin e prindërimit. Reagimet janë të dobëta, bëhen reagime në rrjete sociale, por në raste të tilla duhet të ketë ashpërsim të masave”, shtoi Krasniqi.