Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Gjykata merr vendim ndaj dy të dyshuarve për vrasjen e 18-vjeçarit nga Podujeva

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve, Artiol Abdullahut dhe Elton Kadrit për vrasjen e 18-vjeçarit, Lulzim Zejnullahu në Podujevë.

Kështu ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Është marrë vendimi ndaj tyre, tashmë iu është caktuar masa dhe janë dërguar në mbajtje”, tha ajo.

18-vjeçari Lulzim Zejnullahu vdiq të shtunën si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga dy të dyshuar të moshës së mitur.

Ndërkohë, lidhur me rastin të hënën ka mbajtur konferencë për media kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

Bulliqi tha se njëri prej dy sulmuesve të mitur që e rrahën për vdekje 18-vjeçarin Lulzim Fejzullahu, është i dënuar me 3 vjet burgim për një rast të mëhershëm.

“Ndërsa i dyti, që është bashkëpjesëmarrës, që duket nga ato video-incizimet që u publikuan, nuk është që ka të hapur ndonjë rast nga organet e rendit”, tha ai.

Ai foli edhe për viktimën, për të cilin tha se qytetarët “thonë që ka qenë djalë i sjellshëm”.

Duke folur për veprimet që tha se i ka marrë Drejtoria e Arsimit në Podujevë, Bulliqi tha se “pothuajse të gjitha institucionet shkollore i kemi mbuluar me kamera të sigurisë”.