Me datë 14 janar në qytetin e Podujevës ishte rrahur brutalisht nga dy të mitur një 18 vjeçar i cili si pasojë kishte vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Por që Policia në raportin 24-orësh, në njoftimin fillestar rastin e kishte raportuar si “therrje me thikë”.
E për këtë koloneli në pension në Policinë e Kosovës, Rrahman Sylejmani tha se rasti mund të jetë ngatërruar me ndonjë rast tjetër. Kjo pasi sipas tij, në vendin e ngjarjes nuk ka pasë përdorim të ndonjë mjeti të mprehtë.
Sylejmani tha se ngatërresa të tilla të rasteve ndodhin pasi që shpesh siç tha ai, Policia duke mos pasur njësi të mjaftueshme i merr informacionet sit ë mirëqena dhe të verteta nga informatat që i merr nga palët e ndryshme nga terreni.
“Në këtë rast konkret është një rast i rëndë dhe si po duket unë informacione nuk kam, por si po duket ose e kanë përzi me ndonjë rast tjetër sepse aty nuk është përmendë thika askund, as nuk ka pasë therrje me thikë as nuk ka pasë përdorim të mjeteve të mprehta. Por gabimet më të shpeshta bëhen sepse shpeshherë Policia duke mos pasur edhe njësi të mjaftueshme i merr informacionet si të mirëqena dhe të vërteta nga informacionet që i mer nga terreni nga palët e ndryshme dhe ato mund të mos konkludojnë me situatën e vërtetë atje. Tash unë nuk po e thëm që ky rast është i tillë por nëse nuk kanë dalë të verifikojnë vendin e ngjarjes dhe atje do ta kishin ditë se a ka pasë përdorim të një mjeti të mprehtë apo përmes mjeteve të tjera, çfarë rasti ka ndodhë aty do t’i kishin marrë informacionet nga dora e parë vet ata”, tha Sylejmani.
Tutje koloneli në pension tha se hetuesit policorë shumë rrallë dalin në vendin e ngjarjes.
“Shpesh herë edhe prokurori kur informohet pastaj i merr si të mirëqena informacionet e Policisë, dhe ato nëse nuk janë të vërteta atëherë mund të jetë gabim edhe vet prokurori në cilësimin e rastit. Por ne kemi raste ku në vendin e ngjarjes shumë rrallë dalin hetuesit ,ata janë që duhet të dalin në vendin e ngjarjes menjëherë sa më parë të jetë e mundur. Tash sa është e mundur ajo është diçka tjetër se mund edhe të mos jenë aty në momentin e kryerjes së veprës në stacion”, tha ai.
Ndryshe, 18 vjeçari me inicialet L.F., që u rrah brutalisht nga dy të rinj më 14 janar në qytetin e Podujevës ka vdekur të shtunën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku ishte duke marrë trajtim mjekësor.
Viktima vdiq, pasi nuk arriti t’u bënte ballë lëndimeve që kishte marrë në tru.
Lidhur me rastin, në raportin ditor Policia e Kosovës ka dhënë detaje, ku thuhet se me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.
Derisa sot Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masën e paraburgimit prej një muaji ndaj dy të dyshuarve për vdekjen e 18-vjeçarit nga Podujeva.