Në Bruksel diten e sotme është zhvilluar seanca gjyqësore ndaj Miranda B., e pandehur në të ashtuquajturin Megaprocesi “Sky ECC” kundër një organizate kriminale të trafikut të kokainës të përbërë nga shqiptarë, belgë dhe kolumbianë.
Miranda B., auditore në Gjykatën e Audituesve u akuzua për lidhje me një organizatë kriminale ndërkombëtare aktive në trafikun e drogës, kundërshtoi të hënën, para Gjykatës Penale të Brukselit, akuzat ndaj saj.
E pandehura pranoi se kishte mbajtur “një marrëdhënie dashurie” me Eridan Munoz Guerrero, një nga organizatorët e dyshuar të çështjes, për të cilin dyshohet se ka bërë transferta parash.
Miranda B. pranoi se kishte bërë dhjetë transferta parash për Guerrero, në një vlerë prej 100,000 deri në 200,000 euro.
“Eridan më kërkoi të bëja diçka për të urgjentisht. E bëra pa u menduar,” tha ajo.
Ajo ka shpjeguar se 20 mijë eurot e gjetura në shtëpinë e saj në Tiranë, Shqipëri, ishin fryt i punës së saj dymbëdhjetëvjeçare.
Ajo u justifikua se nuk i kishte vendosur në një llogari bankare sepse “në Shqipëri paguajmë shumë në cash”.
Miranda B. gjithashtu pranoi para gjykatës se kishte hapur gjashtë llogari bankare, por se kishte përdorur vetëm një.
“Në Shqipëri, sa herë që ndryshon punë, duhet të hapësh një të tillë,” shpjegoi ajo.
Ajo siguroi se nuk kishte më asnjë lidhje me Eridan Munoz Guerrero dhe se ishte në dijeni të veprimtarisë së këtij të fundit, si dhe origjinës së shumave të parave që i kërkonte të transferonte, pasi kishte lexuar dosjen.
“E dija se ai punonte në ndërtim. Mendova se paratë vinin nga atje. Kishim një marrëdhënie intime, por nuk doja t’i bëja pyetje,” shpjegoi ajo.
Miranda B. dyshohet si e përfshirë në rrjetin ndërkombëtar të trafikut të drogës së bashku me 124 të pandehur në Belgjikë, ndërsa komunikonin me njëri-tjetrin përmes rrjetit “Sky Ecc”./tch