Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Xhaxhai i Lulzim Fejzullahut: Ngjarja ka ndodhur pak metra larg shtëpisë, një orë djali ka qëndruar i shtrirë pas sulmit

 
   

Rrahim Fejzullahu, xhaxhai i Lulzim Fejzullahut, ka rrëfyer se si ka ndodhur ngjarja pak metra larg shtëpisë të së ndjerit.

Në RTV Dukagjini, xhaxhai i të ndjerit ka thënë se viktima ka mbetur i shtirë në rrugë rreth një orë.

“Ngjarja ka ndodhur më 13 janar, të shtunën, te berberi. I nderi, nipi im, ka shkuar te berberi për t’i hequr flokët. Karriga ku ulet personi t’i heq flokët ka qenë e zbrazët. Berberi ka qenë duke ngrënë mëngjes. Personi sulmuesi ka qenë duke pirë duhan jashtë lokalit. Nipi im e ka pyetur berberin a bën të ulem unë këtu t’i largojë flokët derisa ai të hajë e të pi, ai me kërcënim nga atje ka thënë në karrigen time, unë jam në rend. Berberi ka thënë ai është në rend. Nëse është në rend po dal po shkoj diku tjetër, ka dalë nga dera nipi, janë takuar në derë edhe e kanë rrokur në krah. Atë ditë ka ndodhur me kaq, djali ka shkuar në shtëpi. Të dielën paradite, i ndjeri ka shkuar me ble bukë për mëngjes, kur ka dalë në rrugë kryesore i ka parë ata me kerr edhe është kthyer që të mos takohet me ta. Ata e kanë hetuar djalin edhe iu kanë lëshu me kerr. Së pari e kanë shkel me kerr, djali është munduar ta mbrojë veten me një dorë, duke i sjellë e kanë rrëzuar djalin. Kur e kanë rrëzuar djalin së shtriri e ka sulmuar edhe 5-6 herë me stupc besjbolli. Prej shtëpisë së vet i ka 100 metra larg shtëpisë kurse nga berberi i ka 0-50 metra. Flitet që afër një orë ka qëndruar aty”, tha ai.

Ai thotë se lajmin e ka marrë nga i vëllai i tij, dhe me të kuptuar është nisur drejt spitalit në Prishtinë.

“Unë e kam kuptuar këtë nga vëllau im, më ka thirr hajde se Lulzimin na ka mbytur dikush me thikë, qysh ka pasur informacion. Kur kam shkuar në Prishtinë mjeku kujdestar më ka thirr, ky është jetim, e ka një vëlla dhe një motër. Brenda gjysmë orë nëse nuk e jep lejen ta fusim në operacion ky ndërron jetë. E kam nënshkruar, operacioni ka zgjatur 4 orë e gjysmë. Mjeku doli më dha informacioni se operacioni kaloi me sukses. Pas 4 ditësh kanë kërkuar gjak për të, dy doza i kanë kërkuar. Ditën e diel më ka thirr mjeku rreth orës 13:30, më tha Lulzimit i është keqësuar gjendja. Kur shkova më tha djali ka ndërruar jetë”, shtoi më tej ai.

Sipas xhaxhit të Lulzimit, ky i fundit është rritur jetim, ngase të dy prindër i kanë ndërruar jetë brenda një kohe të shkurtër.

“Babai i ka vdek 2015, nëna në 2020. Janë rritur pa prindër”.

Xhaxhai i Lulzimit, kërkon nga organet e drejtësisë që ta zbardhin rastin.

“Nëse ekziston në Kosovën tonë drejtësi, i lutem prokurorisë, hetuesisë, drejtësisë rastin ta zbardhë ashtu siç është. Policia i ka pasur me fillim informacionet gabim. E kanë quajtur therje me thikë. Çka po shihet në ekran nuk është therrje me thikë. Policia i ka informatat gabim”.

Ndryshe, në varrezat e “Qytetit të Hekurudhës” në Podujevë është varrosur, Lulzim Fejzullahu, 18-vjeçari që vdiq gjatë pasdites të së shtunës në QKUK, pas plagëve që kishte marrë nga goditja me veturë dhe rrahja brutale nga dy të mitur, rreth një javë më parë.

Në varrimin e tij, veç familjarëve të afërmeve në ceremoninë e varrimit morën pjesë edhe qytetarë të shumtë.