Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Ballkani i Hapur” ende gjallë, Vuçiq, Rama e Kovaçevski në Shkup u pajtuan për treg të përbashkët pune nga 1 marsi

 
   

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, dje nga Shkupi ka bërë të ditur se nisma “Ballkani i Hapur” ende vazhdon të jetë në jetë. Kreu i shtetit serb ka thënë se nga 1 marsi 2024 do të hyjnë në fuqi marrëveshja për treg të lirë të punës në Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Shqipëri.

Për këtë dje në Shkup janë firmosur edhe dy protokolle në mes të tri shteteve anëtare, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Kemi pasur disa gjëra të rëndësishme, gjithmonë ka detaje të pakëndshme, por nuk dua të flas për këtë”, ka thënë të hënën Vuçiq.

Presidenti serb ka thënë se kjo është shumë e rëndësishme meqë do të kontribuojë në krijimin e një ambienti për biznes edhe për kompanitë e huaja dhe do të kapërcehet mungesa e punëtorëve.

“Dhe këtë e kemi pritur me muaj të tërë, që do të thotë se nga 1 marsi më në fund duhet të hyjë në fuqi ajo për të cilën folëm, që është një treg krejtësisht i lirë i punës në vendet e Ballkanit të Hapur – Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është një lajm i madh dhe i rëndësishëm dhe mendoj se do të kontribuojë shumë në krijimin e një ambienti më të mirë biznesi për kompanitë vendase dhe të huaja, për të kapërcyer problemin me mungesën e fuqisë punëtore dhe për krijimin e një tregu pune që është jo më gjashtë apo shtatë milionë banorë, por nëse shtoni Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ne po i afrohemi 11 milionë banorëve”, ka shtuar mes tjerash Vuçiq.

Kujtojmë që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në deklarimet e tij të bëra gjatë vitit të kaluar, kishte lënë të kuptohet se gjithçka rreth Ballkanit të Hapur kishe marrë fund.

Në korrik të vitit 2023, Rama kishte deklaruar se nisma “Ballkani i Hapur” kishte dhënë rezultatet e tij dhe se tashmë duhej fokusuar në Procesin e Berlinit.

“Për domosdoshmërinë që të gjithë së bashku të futemi nën ombrellën e Procesit të Berlinit si rezultat, ajo që unë dua të përsëris është që ne duhet të zhytemi me mendje dhe zemër në Procesin e Berlinit për ta kthyer atë në një proces funksional, ashtu siç tregoi Ballkani i Hapur se ne mund të jemi funksional kur jemi së bashku. Procesi i Berlinit nuk ngeci nga ata që ngritën Ballkanin e Hapur, por nga vetot e jo s’dua këtë, jo nuk vijë aty, jo nuk firmosi, jo shihemi nesër…Shpresojmë që tani t’i japim një shtysë të re duke pasur parasysh se tani nuk është një proces si deri më sot, por shpresoj ta kthejmë në një proces të tillë me planin e ri të financimeve të Bashkimit Evropian”, kishte deklaruar kryeministri Edi Rama.

Nisma ka pasur përkrahjen e ShBA-së duke insistuar se duhet të jetë gjithpërfshirëse, derisa BE-ja gjithmonë e ka parë me rezerva pasi i bënte konkurrencë Procesit të Berlinit.