Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Çfarë lëndime mori nëntë vjeçarja që u godit me veturë private të një polici

 
   

Ishte duke kaluar rrugën.

Por hapat i mbetën në gjysmë, pasi në atë moment nëntë vjeçarja u godit nga një veturë.

E ngasësi ishte një zyrtar policor, i cili po voziste veturën e tij personale, jashtë detyrës zyrtare.

Menjëherë, polici ndërmori veprime për t’i ndihmuar.

Pas aksidentit, vozitësi e dërgoi për tretman mjekësor në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Obiliq të lënduarën.

E për gjendjen e nëntë vjeçares tregon drejtori i QMF-së në këtë qytet, Haki Jashari.

“Lëndimet kanë qenë në pjesën ballore, kanë qenë në mjekër dhe ka pasë dhimbje në këmbën e majtë. Me çka ekipa e emergjencës e ka ba fashimin, imobilizimin edhe transportimin në gjendje pa lëvizje ajo drejt QKUK-së”, thotë ai.

Mirëpo për trajtimin e mëtutjeshëm të së miturës, nga Reparti i Emergjencës në QKUK nuk ofruan të dhëna.

Ndërsa nga Inspektorati Policor bënë të ditur se zyrtari policor tashmë është suspenduar nga puna.

“Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës dje në orët e mbrëmjes kanë pranuar një informacion nga Policia e Kosovës lidhur me një aksident trafiku më lëndime trupore në mes një automjeti dhe një këmbësori ku ishte përfshirë edhe një zyrtar policor (jashtë detyrës zyrtare me veturë private). Hetuesit e IPK-së me të pranuar informacionin kanë filluar të ndërmarrin veprimet fillestare hetimore në koordinim me prokurorin kujdestar. Pas veprimeve hetimore, me dyshimin se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i Trafikut Publik” nga IPK është arrestuar i dyshuari (zyrtari policor) ndaj të cilit prokurori ka lëshuar aktvendim për ndalim për 48 orë. Si pjesë e procedurës administrative hetimore zyrtari policor është suspenduar nga puna…”, tha zëdhënsi Arbër Zeka.

Veprime të tjera parashihet të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente.