Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

I akuzuari për krime lufte, Trajkoviq thotë se nuk është fajtor për dhimbjet dhe vdekjen e viktimave

 
   

I akuzuari për krime lufte kundër popullatës civile, Slagjan Trajkoviq, ka thënë se është viktimë politike dhe se aktakuza ndaj tij ose është motivuar politikisht ose është ndonjë gabim.

Ai akuzohet për krime të kryera më 1998-99 në fshatin Reznik të Vushtrrisë dhe në fshatrat përreth të kësaj komune.

“Unë jam i bindur qe jam këtu viktimë politike. Nuk them Prokuroria është pjesë e kësaj, e as s’them që gjykata është pjesë e kësaj, po jam i sigurt që Policia ka qenë e përfshirë në këtë”, tha Trajkoviq.

Këtë deklarim, Trajkoviq e ka dhënë në seancën e së enjtes, në fjalën e tij hyrëse.

I njëjti ka thënë se nuk është fajtor as për dhimbjet e as për vdekjen e viktimave.

“Unë e di që unë nuk jam fajtor nëse më lejoni t’i shikoj në fytyrë. Unë Slagjan Trajkoviq nuk jam fajtor as për dhimbjet e viktimave të tyre, nuk jam fajtor as për vdekjen e viktimave dhe mundem lirisht secilin nga ata t’i shikoj në sy për pafajësinë time”, tha Trajkoviq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu ai ka thënë se kjo aktakuzë kundër tij ose është e motivuar politikisht ose është ndonjë gabim.

Trajkoviq ka treguar se kishte punuar edhe në Policinë Serbe, gjë të cilën ai tha se nuk ka mohuar as para Prokurorisë, por pastaj i njëjti tha se kishte vazhduar të punojë në Policinë e Kosovës për 10 vite.

“E sa i përket atyre që më kanë burgosur atë natë, unë e kam pasur të qartë, kur më ka arrestuar kapiteni Agim Vitia, më ka thënë a je Slagjan a Sergjan mua nuk më intereson ki me shku në burg edhe u kry muhabeti qashtu m’tha”, deklaroi tutje ai.

Sipas tij, po të ishte fajtor për këto që akuzohet, nuk do të jetonte në Kosovë por do të ikte sikur shumica që kanë iku në vitin 1999.

“Po ta bëja një pikë nga kjo e cila më vihet në barrë asnjëherë nuk do jetoja në Kosovë, do të shkoja në vitin 1999 sikurse shumica që kanë shkuar, jo e kam ditur që nuk jam fajtor dhe kam ndejtur”, ka thënë Trajkoviq.

Për pafajësinë e tij, ai tha se është i gatshëm që të vendoset edhe në poligraf apo në çfarëdo makineri që të vërtetohet e vërteta.

“Nëse gjykatës i intereson e vërteta, nëse shoqërisë kosovare i intereson e vërteta, nëse edhe prokurorisë i intereson e vërteta atëherë është dashtë të më lejohet të mbrohem në liri ose në arrest shtëpiak, unë do të angazhohesha që t’i gjejë ata persona që për fajin e tyre unë qëndroj këtu. Kjo është e sigurt edhe po të ishte vëllau im unë do të thosha ndjekeni atë”, deklaroi ai.

Paraprakisht, fjalën hyrëse e kanë dhënë edhe prokurorja speciale Florije Shamolli dhe mbrojtësi i të akuzuarit Trajkoviq, avokati Dejan Vasiq.

Prokurorja Shamolli në fjalën e saj hyrëse deklaroi se nga provat të cilat do të administrohen në shqyrtimet gjyqësore dhe nga dëshmitë e dëshmitareve dhe viktimave, gjykata do të bindet se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet.

“Të cilët do të përshkruajnë ngjarjen gjegjësisht tmerrin i cili ka ndodhur në periudhën kohore 1998-1999 ku si person kryesor i cili ka marrë pjesë në këto krime të luftës është i akuzuari Sladan Trajkoivq”, tha prokurorja Shamolli.

Sipas saj, pas të gjitha këtyre gjykata do të bindet se i akuzuari e ka kryer veprën penale dhe do ta shpall fajtor e do ta dënoj sipas ligjit.

Fjalën e saj hyrëse e kanë përkrahur mbrojtësi i viktimave, Visar Ahmetxhekaj dhe të dëmtuarit.

Në anën tjetër, avokati Vasiq, deklaroi se qysh nga fillimi procedura ndaj Trajkoviq ka qenë jo ligjore.

“Sladani është arrestuar e që nuk ka qenë asnjë provë e vetme e cila do ta mbulonte dyshimin e bazuar për arrestimin e tij, ashtu i është caktuar edhe paraburgimi deri në atë kohë nuk ka ekzistuar asnjë prove e cila e ka vërtetuar dyshimin e bazuar”, tha Vasiq.

Në fjalën e tij hyrëse, avokati Vasiq ka thënë se vetëm këtu në Prokurori Speciale ndodh që prokuroria udhëheq vet hetimet e nuk njoftohet mbrojtësi.

“Vetëm këtu në Prokurori Speciale me lejimin tuaj ndodh kjo që prokuroria vet t’i udhëheq hetimet e të mos e njoftoj mbrojtësin dhe kjo ndodh në lëndët ku jeni të pandehur ne serbët”, tha ai.

Vasiq edhe paraprakisht kërkoi nga gjykata që te merr një vendim lidhur me pretendimin se prokuroria nuk ia ka dorëzuar mbrojtjes deklaratat paraprake të dëshmitarëve si dhe raportet policore.

Mirëpo, sa i përket pajisjes me shkresa të lëndës, kryetari i trupi gjykues, gjykatësi Mentor Bajraktari tha se ish-kryetarja e trupit gjykues pothuajse i ka mbajt tri seanca fillestare me qëllim të mbrojtja të pajiset me shkresa të lëndës.

“Të njëjtin pretendim ju e keni referuar edhe me ankesë kundër aktvendimit me të cilin ju kanë refuzuar kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave dhe në veçanti Gjykata e Apelit ka folur lidhur me rrethanën për dorëzimin e shkresave nga ana e juaja”, tha Bajraktari.

Gjykatësi Bajraktari i tha avokatit që t’i referohet vendimit të Gjykatës së Apelit lidhur me pretendimet e tij për dorëzimin e shkresave dhe sipas tij Apeli e ka konstatuar se është shtjerrë si mundësi për shkak se avokati i ka pranuar personalisht.

Tutje, Vasiq ka thënë se është obligimi i gjykatës që të siguroj barazinë e armëve në procedurë.

Para fjalës hyrëse, pasi që aktakuza u konsiderua e lexuar, i akuzuari Trajkoviq u deklarua i pafajshëm për veprën që i vihet në barrë.

“E kam kuptuar aktakuzën, nuk ndjehem fajtor dhe nuk jam fajtor”, tha Trajkoviq.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 12 korrik 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Slagjan Trajkoviq i cili për krime lufte kundër popullatës civile.

Sipas aktakuzës, Trajkoviq po akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998-1999 në fshatin Reznik komuna e Vushtrrisë dhe në fshatrat përreth të kësaj komune, i njëjti individualisht dhe në bashkëkryerje me personat tjerë duke shkelur rëndë rregullat e të Drejtës Ndërkombëtare si pjesëmarrës i forcave policore dhe ushtarake serbe.

Aktakuza thotë se i njëjti ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretime, arrestime, tortura, trajtim në mënyrë ç ‘njerëzore, mbajtja në kushte skllavërie, dëbimin dhe depërtimin e mijërave civilëve shqiptarë si dhe masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile shqiptare që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt, duke shkelur rëndë rregullat e të drejtës ndërkombëtarë gjatë kohës së luftës, konkretisht nenin 3 paragrafi 1 shkronja a.b.c të përbashkët me katër konventa (1a dhe b) të përbashkët për katër Konventat e Gjenevës të datës 12 gusht të vitit 1949 dhe protokollet shtesë.

Me këto veprime, Trajkoviq akuzohet se në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të panjohur të njësisë së Policisë Serbe dhe personave tjerë të armatosur dhe të uniformuar ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile”, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 142 dhe 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë aktualisht i inkriminuar si krime kundër njerëzimit nga neni 143 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4, 1.6 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.