Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Policia po grumbullon informacione për vrasjen e foshnjës në Prizren, ende s’ka të dyshuar

Ende nuk është identifikuar vrasësi i një foshnje të porsalindur në Prizren. Kjo foshnje ishte gjetur më 25 nëntor e vdekur, në afërsi të Parkut të Qytetit në Prizren. Nga Prokuroria Themelore në Prizren kanë thënë për Express, se kanë autorizuar policinë për grumbullimin e informacioneve, për të ndërmarrë më pas veprime hetimore, teksa për shkak të ndjeshmërisë rastit thanë se nuk mund të ndajnë më shumë informacione. Rasti ndërkaq është cilësuar “vrasje e foshnjës së porsalindur”.

Një ngjarje e rëndë kishte ndodhur më 25 nëntor në Prizren. Atë ditë në afërsi të Parkut të Qytetit u gjet e vdekur një foshnje e porsalindur. Nga Policia u pat konfirmuar se rasti po trajtohet si “vrasje e foshnjës së porsalindur”, teksa më nuk u dhanë më shumë detaje.

Ditëve në vazhdim nuk doli asgjë e re lidhur me fatin e kësaj foshnje dhe për atë se kush e la atë të vdekur në afërsi të Parkut të Qytetit të Prizrenit.

Për këtë çështje, nga Prokuroria Themelore në Prizren, kanë konfirmuar për Express, se kanë autorizuar policinë që të grumbullojë informacione për të ndërmarrë më pas veprime hetimore.

“Referuar kërkesës tuaj për informacione, ju njoftojmë se rasti në fjalë aktualisht ndodhet në proces hetimor përkatësisht është autorizuar policia për grumbullimin e informacioneve të nevojshme. Për shkak të konfidencialitetit të procedurës dhe ndjeshmërisë së rastit, nuk mund t’ju japim detaje të tjera”, thuhet në përgjigjen e tyre.

E detaje nuk dhanë lidhur me atë se nëse ka ndonjë të dyshuar për, siç cilësohet vepra, vrasjen e kësaj foshnje.

Ndërkaq, nga policia patën thënë se foshnja ishte gjetur nga një person, teksa me vendim të prokurorit trupi i foshnjës është dërguar për obduksion.

“Policia në Prizren ka pranuar një informatë se në afërsi të Parkut të Qytetit, nga një dëshmitar okular, gjendet një trup i pajetë që bëhet fjalë një foshnjë. Reagimi policor ka qenë i menjëhershëm, njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes. Është njoftuar Prokurori i Shtetit dhe me urdhër të tij trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Po ashtu në vendin e ngjarjes ka dalë edhe ekipi i Emergjencës ku mjeku ka konstatuar vdekjen e foshnjës. Me këtë rast po merrren hetimet rajonale dhe po trajtohet si ‘Vrasje e foshnjës së porsalindur’, në konsultim me Prokurorin e Shtetit kështu do të fillojnë hetimet dhe po trajtohet si rast i kësaj natyre”, pati thënë për Express, zëdhënësi I policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi”, thuhet në njoftim.