Me rastin e fillimit të Javës së Ndërgjegjësimit kundër kancerit të qafës së mitrës, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u kanë bërë thirrje të gjitha vajzave dhe grave të marrin vaksinën me qëllim të parandalimit dhe mbrojtjes kundër kësaj sëmundje malinje. Kjo vaksinë nga muaji shkurt do të hyjë në kalendarin e rregullt të vaksinave në Kosovë, e ku do të vaksinohen vajzat që nga mosha 12 -vjeçare.
Në një tryezë diskutimi, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se testet e rregullta, duke përfshirë PAP testin dhe vaksinën kundër papilloma virusit, janë ndër intervenimet kryesore parandaluese të cilat duhet fuqizuar e shfrytëzuar krahas trajtimit cilësor shëndetësor të të prekurave.
Vitia theksoi se janë drejt finalizimit të programit nacional për kontroll të kancerit, derisa shtoi se kanceri i qafës së mitrës do të ketë vëmendjen e merituar krahas kancerit të gjirit, atij kolorektal e të tjerëve me rrezik më të madh potencial.
Ai shtoi se kanë siguruar rreth 15 mijë doza të vaksinës kundër papilloma virusit, derisa shtoi se që nga mesi i muajit shkurt do të fillojë vaksinimi i të gjitha vajzave të klasave të gjashta në gjithë vendin tonë, për çka u bëri thirrje prindërve t’i përgjigjen pozitivisht vaksinimit.
Vitia: Nga mesi i muajit shkurt fillon vaksinimi i vajzave të klasave të 6-ta kundër kancerit të qafës së mitrës
“Testet e rregullta si PAP testi dhe vaksina kundër papilloma virusit janë sot për sot intervenimet kryesore parandaluese, të cilat natyrisht se duhet t’i fuqizojmë e shfrytëzojmë krahas trajtimit cilësor e shëndetësor të të prekurave. Këto teste janë të lehta dhe të arritshme, kryhen në institucionet tona shëndetësore publike dhe mund të shpëtojnë e jetën e dhjetëra e ndoshta qindra vajzave të reja dhe grave…Jemi duke bërë hapa konkret në trajtimin e çështjes së kancerit të qafës së mitrës. Bordi për kontroll të kancerit është drejt finalizimit të programit nacional për kontroll të kancerit, ku kanceri i qafës së mitrës do të ketë vëmendjen e merituar krahas kancerit të gjirit, kancerit kolorektal dhe kancereve të tjera që janë identifikuar si problematika të mëdha…Në hartimin e këtij programi, përveç Ministrisë së Shëndetësisë janë përfshirë edhe profesionistët më të mirë të fushës dhe hisedarë të tjerë…Kemi siguruar tanimë edhe 15 mijë doza të vaksinës kundër HPV-së, duke filluar nga mesi i muajit shkurt në pajtim me planin e veprimit fillojmë vaksinimit e vajzave të klasave të 6-ta në të gjithë vendin tonë”, tha Vitia.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se sëmundjet malinje e në veçanti kanceri i qafës së mitrës janë një sfidë e vërtetë për institucionet shëndetësore, shoqërinë tonë, shëndetin e grave dhe të gjithë atyre që preken nga këto sëmundje.
Ai shtoi se në Kosovë kanceri i organeve gjenitale femërore paraqet kancerin e dytë më të shpeshtë në mesin e kancerit të femrave, dhe të katërtin nga shpeshtësia në mesin e të gjithë grupeve të kancerit.
Po ashtu, edhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKShPK), Naser Ramadani tha se qëllimi i shënimit të javës botërore kundër kancerit të qafës së mitrës është sensibilizimi i qytetarëve, punëtorëve shëndetësorë dhe vendimmarrësve lidhur me këtë sëmundje, duke përfshirë edhe mënyrën e parandalimit.
Ai shtoi se java botërore e kancerit të qafës së mitrës është një mundësi për të reflektuar mbi progresin e bërë deri më sot dhe për të rritur ndërgjegjësimin për sfidat që mbeten për të arritur në përfundimin e kancerit të qafës së mitrës.
Ramadani: Java botërore e kancerit të qafës së mitrës është një mundësi për të reflektuar mbi progresin e bërë deri më sot
“Në këtë tryezë synojmë që të informojmë popullatën për përfshirjen e vaksinës HPV në kalendarin e rregullt të vaksinave në Kosovë, që popullata e përgjithshme duhet të ketë njohuri për përfitim nga skriningu cervikal dhe shfrytëzimin e shërbimeve ekzistuese për PAP test. Ofruesit e shërbimeve shëndetësore duhet të kenë informata të sakta dhe më të përditësuara lidhur me skriningun e kancerit cervikal, ata mund të përgjigjen në pyetjet e pacientëve dhe t’i inkurajojnë ata t’i nënshtrohen skriningut. Java botërore e kancerit të qafës së mitrës është një mundësi për të reflektuar mbi progresin e bërë deri me sot, për të rritur ndërgjegjësimin për sfidat që mbeten për të arritur në përfundimin e kancerit të qafës së mitrës dhe për të mobilizuar të gjithë akterët që së bashku të dyfishojmë përpjekjet për të siguruar suksesin e përgjigjes të kancerit të qafës së mitrës. Për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës, Ministria e Shëndetësisë me rekomandim të Institutit Kombëtar ka siguruar vaksinat për virusin e papillomës humane që tani është vendosur në kalendarin e rregullt të vaksinimit. Nga muaji shkurt 2024 fillon vaksinimi i vajzave 12-vjeçare për mbrojtjen nga kanceri i qafës së mitrës”, tha Ramadani.
Java e Parandalimit të kancerit të qafës së mitrës është një fushatë evropiane, e cila ka si qëllim të rrisë sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin për parandalimin dhe kapjen e hershme të kancerit të qafës së mitrës te gratë.
Shoqata Evropiane e kancerit të qafës së mitrës që nga viti 2002 ka nisur organizimin e kësaj fushate, ndërkaq prej vitit 2007, Java Evropiane e Parandalimit të Kancerit të Qafës së Mitrës organizohet çdo vit në javën e fundit të janarit.