Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Në Kosovë s’ka raste me fruth, por IKSHPK bën thirrje për vaksinim

Në Kosovë aktualisht nuk ka raste të regjistruara të fruthit, ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës.

Njoftimi i Institutit vjen pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka lëshuar ditëve të fundit një paralajmërim për përhapjen e fruthit në Evropë. Numri i rasteve është rritur për 30 herë në muajt e fundit në rajonin europian, që përbën një rritje shqetësuese.

Po ashtu, raste të fruthit janë regjistruar edhe në vendet e rajonit.

“Në Kosovë aktualisht nuk ka raste të regjistruara të fruthit, por Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës rithekson faktin se vaksinimi është mënyra më e mirë për të parandaluar fruthin dhe përhapjen e tij te njerëzit e tjerë, krahas masave të tjera të kujdesit”, thuhet në një njoftim të IKSHPK-së.

Instituti thotë se fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse e shkaktuar nga një virus dhe mund të çojë në komplikime të rënda dhe vdekje.

“Pandemia e COVID-19 ka çuar në një rënie të vazhdueshme të mbulimit të vaksinimit dhe mbikëqyrje të dobësuar të sëmundjes në vende të ndryshme globalisht, gjë që ka rritur rrezikun e përhapjes së fruthit”.

IKSHPK thotë se vaksina kundër fruthit është e sigurt dhe ajo aplikohet në Kosovë që nga viti 1971.

IKSHPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të kontrollojnë kartelën e vaksinimit të fëmijëve dhe t’i vaksinojnë ata me kohë.