Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kosova në KiE, analistët: Varet edhe nga puna e institucioneve vendore

 
   

Krerët e shtetit po kërkojnë pa reshtur që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, në 75 vjetorin e themelimit të saj. Nga Qeveria besojnë se në muajin maj të këtij viti, mund të ketë lajme të mira për sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Kjo mund të ndodhë, thonë njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare, sipas të cilëve, anëtarësimi varet edhe nga puna e institucioneve vendore.

Udhëheqësit e Kosovës kanë shpeshtuar kohëve të fundit kërkesën që shteti më i ri evropian të bëhet anëtari më i ri me të drejta të plota në Këshillin e Evropës, ku aplikoi për anëtarësim në maj të vitit 2022. Në prill të 2023-ës, Kosova kaloi me sukses fazën e parë të anëtarësimit, pasi dy të tretat e anëtarëve të Komiteti Ministror votuan pro anëtarësimit. Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në një intervistë në “Fokus” të Radio Kosovës ka thënë se tashmë janë përfunduar me sukses dy nga tri fazat e anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Ajo ka përmendur edhe një datë të synuar për anëtarësim.

“Rasti më i mirë atë që ne synojmë, por pa mundur ta premtojmë, është maji. Mirëpo, edhe nëse Kosova nuk anëtarësohet në muajin maj, gjë që Kosova do ta meritonte për shkak të përmbushjes së standardeve shumë më tepër se sa shtete të tjera që janë anëtarësuar në Këshillin e Evropës, atëherë do të duhej gjetur një datë tjetër”, kishte thënë ministrja Gërvalla.

Edhe profesori universitar, Dritëro Arifi, thotë se ka vullnet për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, por, sipas tij, që kjo të ndodhë, duhet plotësuar edhe disa kushte politike të paracaktuara.

“Raporti i raportuesve të Këshillit të Evropës që ishin këtu, kanë vendosur kushte politike. Por edhe ambasadori gjerman e bëri publike që anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës varet nga zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit dhe zbatimi i Asociacionit. Këto nuk janë kushte korrekte, por unë besoj se anëtarësimi mund të ndodhë shpejt, sepse po vërehet një klimë pozitive te partnerët”, tha Arifi.

Ndërsa, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqipërim Pula, thotë për Radio Kosovën se anëtarësimi në Këshillin e Evropës duhet të marrë epilog. Por, sipas tij, për këtë duhet më shumë përkushtim nga vendorët.

“Çështjet mbesin nën vullnetin politik të shteteve anëtare, për t’i bërë ftesë Kosovës në anëtarësim dhe për ta votuar një proces, i cili tashmë është i tejzgjatur, për faktin se vullneti politik do të duhej të shprehej përmes një votimi dhe kjo pritet të ndodhë. Mirëpo edhe institucionet përkatëse të Kosovës duhet të lobojnë që ta fitojnë vullnetin edhe të atyre shteteve që hezitojnë ta përkrahin”, tha ai.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe  sundimin e ligjit në Evropë dhe ka 46 anëtarë.