Njerëzit lëvizin, por makinat jo. Një javë pas rënies së kulmit të ndërtesës së Komunës së Prishtinës, në lagjen Arbëria, rrugët e tjera janë të kalueshme. Perimetri i sigurisë që qe vendosur të enjten e kaluar, tani rrethon vetëm hapësirën e oborrit dhe rrugën “Nora e Hotit”.
Edhe punëtorët e këtushëm, që të premten e 19 janarit pushuan, nga e hëna u kthyen në punë.
E 23 vjeçarja që mbeti e lënduar nga ky rast, vazhdon trajtimin në Klinikën Intensive të QKUK-së.
“Ajo vazhdon të qëndrojë e fjetur me barna, e kyçur dhe e varur nga aparaturat mjekësore, vazhdojmë ta monitorojmë, për momentin paraqitet në gjendje relativisht stabile, përkundër asaj që lëndimet janë serioze”, tha drejtori i Klinikës së Mjekimit Intensiv, Shaqir Uka.
Ky bëri të ditur se lëndimet më të rënda E.U i ka në regjionin e kokës.
Për rënien e kulmit tashmë janë arrestuar dy persona, njëri përgjegjës i kompanisë që kreu punimet, e tjetri zyrtar i Komunës së Prishtinës.
Për situatën aktuale një javë pas rastit, nga komuna thanë për “Ju flet Prishtina” se nuk kanë asgjë për të deklaruar.
Megjithatë të hënën komunarët mbajtën një konferencë për media, për këtë çështje.
Aty arkitektët e angazhuar, Visar Geci dhe Gëzim Kastrati, pohuan se nga vlerësimi preliminar që kanë bërë me ndihmën edhe të dy inxhinierëve të ndërtimtarisë, pullazi nuk ka qenë i ndërtuar sipas standardeve dhe me material të dobët.