Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Regjistrimi i rasteve të para të fruthit, ministrja e Shëndetësisë apel prindërve: Vaksinoni në kohë fëmijët

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e shoqëruar edhe nga kryetarja e Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara, ka zhvilluar një vizitë në Spitalin e ri të Laçit, u ka bërë thirrje prindërve të vaksinojnë në kohë fëmijët kundër fruthit.

Koçiu apelin e saj e bën në një kohë kur në vendin tonë janë regjistruar dhe rastet e para të fruthit, teksa thekson se është falas dhe se gjendet në çdo qendër shëndetësore.

“E rëndësishme është që të japim edhe një mesazh për vaksinën e fruthit sepse këto ditë po dëgjojmë që janë shtuar rastet. Për aq kohë sa është një vaksinë e përfshirë në Kalendarin Kombëtar të Vaksinimit dhe është një vaksinë që mbron 100% për rrezikshmërinë që mund të sjellë sëmundja e fruthit.

Është e domosdoshme për t’u kryer dhe apeli i shkon gjithë prindërve: Vaksinoni fëmijët për një jetë të sigurt, për një jetë të shëndetshme. Vaksina është falas, është në çdo qendër shëndetësore.

Kështu që do ju lutesha shumë që ta merrni shumë seriozisht që të mos rrezikoni jetën e fëmijëve”, apeloi ministrja Koçiu.

Gjithashtu, ajo theksoi se në një infrastrukturë të përmirësuar shëndetësore është shumë e rëndësishme që ekipet shëndetësore të shërbejnë me humanizëm për qytetarët që vijnë dhe trokasin në dyert e spitalit.

“Do doja shumë që ta dëgjojmë Laçin si një qendër ekselence, si një pol ekselence për shërbimet shëndetësore. Dhe jam e bindur që do ta bëni të gjithë me këtë përkushtim që pash sot këtu”, nënvizoi ministrja.