Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, e ka shkarkuar nga detyra nënkryetaren e komunës, Dragana Miletiq, një ditë pas pamjeve të publikuara ku ajo shihet duke konsumuar substanca narkotike.
Lajmin për shkarkimin e ka konfirmuar Hetemi për Tëvë 1.
Lidhur me këtë rast Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se kanë nisur hetimet.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nisur hetimet pasi ditën e djeshme në medie u publikuan video-incizime ku shihej nënkryetarja e Leposaviqit, Dragana Miletiq, duke konsumuar lëndë narkotike brenda objektit të komunës.
Prokuroria thekson se është autorizuar Policia e Kosovës – Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Prishtinë, që të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin se përkitazi me publikimin e video incizimit të portalit Nacionale, publikuar me datë 29 janar 2024, me qëllim të ndriçimit të gjitha fakteve dhe rrethanave, ka autorizuar Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Prishtinë, që të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore”, thuhet mes tjerash në njoftim.