Teki Bokshi, avokat i licencuar nga Gjykata Speciale, është shprehur se Kosova ka detyrim që të financojë mbrojtjen e ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë.
Komentet Bokshi i bëri në një lidhje për Euronews Albania, ku tha se shteti ka obligim për të financuar vetëm një avokat, pra avokatin kryesor, i cili sipas tij është shumë i kushtueshëm.
Ai shtoi se të gjithë shqiptarët e akuzuar në Hagë kanë më shumë se një avokat, pasi sipas tij, në Hagë operohet në një mënyrë të ndryshme nga ajo e mbrojtjes në Kosovë.
“Duhet pasur parasysh që në dhomat e specializuar kërkohen avokatë me bagazh, ata i kanë tarifat e caktuara të larta. Kosova ka marrë obligimin me ligj që të financojë avokatët mbrojtës. Normalisht një avokat me eksperiencë… Shteti i Kosovës me sa jam në dijeni duhet të paguajë një avokat.
Në ekipin e avokatëve ka pasur edhe avokatë vendorë, por avokati kryesor është i huaj. Duke marrë parasysh situatën e komplikuar, është e domosdoshme që të ketë edhe avokatë të tjerë për mbrojtjen. Atje punohet me një sistem krejt të ndryshëm nga mbrojtja në Kosovë.
Republika e Kosovës ka marrë përsipër me ligj që të financojë një kontingjent të caktuar mjetesh, përfshi avokatin. Të gjithë të akuzuarit kanë më shumë se një avokat. Sepse atje është një avokat mbrojtës dhe gjithë pjesa tjetër janë pjesë e ekipit mbrojtës”, tha Bokshi.