Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka thënë se lufta në Ukrainë ka nxjerrë në pah nevojën për të përshpejtuar procesin e pranimit të Ballkanit Perëndimor në BE.
Megjithatë, Hoxhaj ka thënë se asgjë e rëndësishme në procesin e anëtarësimit nuk ka ndodhur sa i takon Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
“Deklaratat publike nga udhëheqës të institucioneve të BE-së për një afat zgjerimi te ardhshëm deri në vitin 2030, na bëjnë të shpresojmë se kjo do të mobilizojë energjitë si në BE ashtu edhe në shtetet kandidate në rajon. Pyetja tani është se si të bëhen gati vendet kandidate për t’u bashkuar me bllokun evropian? Ajo që do ta ndihmonte më shumë Ballkanin Perëndimor është një plan i rritjes ekonomike i drejtuar nga BE-ja, ku fjala është për një treg të vogël prej gjashtë vendesh me më pak se tetëmbëdhjetë milionë konsumatorë i integruar me tregun e përbashket Evropian”, ka thënë Hoxhaj gjatë adresimit të gjatë adresimit të tij në Kongresin e Vjenës, teksa ka folur në cilësi të anëtarit të Bordit Këshillëdhënës të këtij kongresi, fjalim të cilin e ka publikuar në Facebook.
Sipas Hoxhajt, Ballkani Perëndimor është një lloj ishulli i madh i izoluar brenda Evropës, andaj tani është koha për vëmendje të përqendruar në avancimin e qëllimeve të këtij plani dhe përshpejtimin e pranimit të rajonit në BE me datë konkrete, para se të mbahen zgjedhjet.
“Kjo shpejtësi e re do të merrte formë për Kosovën nëse ajo do merrte këtë vit statusin e kandidatit gjatë mandatit të këtij Komisioni, gjë që BE nuk ka arsye fare që ta shtyjë për më vonë”, ka shtuar Hoxhaj.
Tutje Hoxhajt ka potencuar se nëse BE nuk arrin të marrë një vendim lidhur me aplikacionin e Kosovës për statusin e kandidatit, atëherë çfarë drejtimi strategjik dhe qartësi mund të pritet të tregojë BE-ja.
“Pamundësia për të kaluar këtë akt aq të thjeshtë dhe simbolik ngre dilema në lidhje me drejtimin strategjik të BE-së ndaj vet Evropës”, ka përfunduar Hoxhaj.