Së paku 28 njerëz janë vrarë nga një sulm me artileri në një ndërtese në qytetin e uzurpuar nga Rusia, Lisiçansk, në lindje të Ukrainës.
Ministria ruse për Situata Emergjente tha të dielën në Telegram se një fëmijë është në mesin e 28 trupave të vdekur që u nxorën nga rrënojat e një ndërtese ku ndodhej një furrë buke dhe një restorant.
Rreth 10 njerëz të tjerë u nxorën të gjallë nga rrënojat.
Zyrtarët në rajonin e Luhanskit, i cili është pothuajse plotësisht nën kontrollin e Rusisë, e fajësuan fillimisht një sulm ukrainas me dron, por pastaj i ndryshuan fjalët dhe thanë se sulmi u krye nga artileria ukrainase.
Nuk ka qenë e mundur të vërtetohen pretendimet e tyre.
Zyrtarët ukrainas nuk kanë komentuar rreth këtij rasti.
Rusia e uzurpoi Lisiçanskun në korrik 2022, pas disa muajve luftimesh të ashpra.
Pas gati dy vjetëve prej se Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës – fushëbeteja përgjatë vijës së frontit gati 1.200 kilometra të gjatë, e cila shtrihet nga verilindja e Ukrainës deri në rajonin jugoro-qendror Herson – ka stagnuar pothuajse plotësisht.
Pas një kundërofensive të pasuksesshme pranverën e kaluar, trupat ukrainase janë kthyer për t’i rindërtuar forcat dhe për ta forcuar mbrojtjen.
Rusia, ndërkohë, ka vazhduar të ecë përpara në disa ofensiva të lokalizuara: pranë Kupianskut në veri, dhe përreth qytetit industrial Avdivka, në jug.
Të dyja palët kanë kryer sulme me rreze të gjata veprimi këtë dimër, duke përdorur artileri, dronë dhe raketa me rreze të gjata veprimi.
Ukraina e ka përdorur në mënyrë të madhe përdorimin e dronëve për t’i goditur caqet industriale brenda Rusisë, shkruan REL.
Të shtunën, rafineria më të madhe e naftës në qytetin Volgograd, në jug të Rusisë, u godit nga dy dronë ukrainas.
Zjarrfikësit u shuan zjarrin pas disa orëve, por nuk është e qartë se çfarë dëmesh i janë shkaktuar rafinerisë, e cila është në pronësi të Lukoilit. Ajo prodhon naftë, gazë dhe karburant për avionë dhe anije.