Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka takuar presidentin e Estonisë, Alar Karis.
“Në vazhdën e vizitës zyrtare në Estoni, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, u prit në takim nga Presidenti i Republikës së Estonisë, Alar Karis. Kryetari Konjufca falënderoi Presidentin Karis për pritjen e ngrohtë dhe i shprehu mirënjohje për mbështetjen e shtetit estonez ndaj Republikës së Kosovës dhe synimeve të saj për integrim në strukturat evropiane e ndërkombëtare.”
Në takim, ata kanë diskutuar për bashkëpunimin mes dy shteteve.
“Në takim u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm midis dy shteteve mike, duke ndaluar te nevoja e shqyrtimit të mundësive për të forcuar edhe më tutje raportet mes tyre.”
Konjufca e ka njoftuar Karis për situatën politike në Kosovë.
“Kryetari i Kuvendit e njoftoi presidentin estonez me situatën politike në vendin tonë, me ç’rast potencoi përkushtimin maksimal të institucioneve të Kosovë ndaj sigurisë, posaçërisht pas sulmit terrorist në Banjskë, me vetëdijen e plotë të rrezikut që influenca ruse në Serbi përbën për rajonin tonë dhe më gjerë.”
“Angazhimi për paqen, në kohë si këto, konfirmohet nga gatishmëria për të mbrojtur vlerta tona po aq sa edhe territoret tona, me çdo kusht e me të gjitha mjetet e nevojshme. Kjo është ajo që mbi të gjitha duhet të na sjellë çdo herë e më pranë, gjithnjë e më shumë”, tha Konjufca.
“Presidenti Estonisë, Karis, pasi potencoi raportet e ngushta që ekzistojnë midis dy vendeve tona, konfirmoi mbështetjen e Talinit zyrtar për Kosovën edhe në të ardhmen.”