Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Zbardhen detaje, ja si u zbulua 34-vjeçari në Tiranë që mbante mbyllur gruan në banesë dhe e monitoronte me kamera

Një tjetër rast ku bashkëshorti mban mbyllur gruan në banesë dhe e monitoron me kamera, e po ashtu ushtron dhunë, u zbulua sot nga policia e Tiranës.

Në pranga ka rënë 34-vjeçari Asqeri Mandri, i cili kishte montuar kamera sigurie në çdo dhomë të banesës, për të parë lëvizjet e të shoqes.

Ndërkohë, bëhet me dije se ka qenë vetë bashkëshortja ajo që më në fund, ka denoncuar dhunën dhe izolimin.

Çifti janë prindër të katër fëmijëve, ndërsa mësohet se Mandri kishte pak kohë që ishte kthyer nga Gjermania.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas informacionit të marrë se një shtetas kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, si dhe e mbante të mbyllur atë, në monitorimin e kamerave që i kishte instaluar brenda në banesë, menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien e autorit të dyshuar, përpara përgjegjësisë penale.

Si rezultat, falë reagimit në kohë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 u arrestua shtetasi A. M., 34 vjeç, banues në Kodër Institut.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se 34-vjeçari ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, të cilën e mbante të mbyllur në banesën e tyre ku kishte montuar kamera për të monitoruar lëvizjet e saj”, njoftoi më herët policia.