Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Shëndetësia

Ngrohja mbi 1,5 gradë celsius, tejkalohet pragu për fatkeqësinë globale me klimën

Për herë të parë, ngrohja globale ka tejkaluar 1.5 gradë celsius gjatë një viti të tërë. Këtë e ka konfirmuar shërbimi klimatik i Bashkimit Evropian.

Udhëheqësit botërorë premtuan në vitin 2015 se do të përpiqen të kufizojnë rritjen afatgjatë të temperaturës në 1.5C, gjë që shihet si thelbësore për të ndihmuar në shmangien e ndikimeve më të dëmshme.

Madje është konsideruar dhe si pragu që na shpëton nga fatkeqësia globale. Kjo shkelje e parë njëvjeçare nuk e thyen marrëveshjen historike të Parisit, por e shtyn botën më afër shndërrimi të saj në një plan afatgjatë. Ka edhe thirrje që pragu të jetë më i lartë për vitet në vijim. Veprimet urgjente për të ulur emetimet e karbonit mund të ngadalësojnë ngrohjen, thonë shkencëtarët. “Është një hap tjetër në drejtimin e gabuar. Por ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë”, shprehen ekspertët evropianë.

Kufizimi i ngrohjes afatgjatë në 1.5 gradë celsius mbi nivelet “para-industriale” – përpara se njerëzit të fillonin djegien e sasive të mëdha të lëndëve djegëse fosile – është bërë një simbol kyç i përpjekjeve ndërkombëtare për të trajtuar ndryshimet klimatike. Një raport historik i OKB-së në 2018 tha se rreziqet nga ndryshimet klimatike – të tilla si valët e të nxehtit intensiv, rritja e nivelit të detit dhe humbja e jetës së egër – ishin shumë më të larta në 2 gradë celsius të ngrohjes sesa në 1.5 gradë. Por temperaturat kanë vazhduar të rriten me një ritëm shqetësues, tregojnë të dhënat nga Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike të BE-së Copernicus.

Muaji i kaluar është konfirmuar si Janari më i nxehtë në histori. Shërbimi i Bashkimit Evropian për Ndryshimet Klimatike saktëson se është thyer rekordi i vendosur në 2020-ën, ndërsa temperatura mesatare ishte 13.14 gradë celsius në të gjithë botën për muajin e parë të vitit.