Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se nuk kanë informacione situata e sigurisë më të cenohet dhe të përsëritet sulmi si në Banjskë, pas vendimit të ndalimit të qarkullimit të dinarit serb në Kosovë.
Por, ai ka thënë se hyrja në fuqi e rregullores së BQK-së që ndalon qarkullimin e dinarit serb në Kosovës, ka nxitur nervozizëm e paqartësi tek njerëzit që janë prekur nga ky vendim.
“Ne nuk kemi ndonjë informatë apo shenjë për ndonjë rrezik specifik të ngjashëm si në Banjskë, por qartazi ne ndiejmë, dhe kemi informata për shtimin e paqartësive, për shtimin e pyetjeve , nervozizëm tek njerëzit qa janë prekur nga ky vendim rreth valutës. Por edhe në përgjithësi nga mungesa e progresit dhe mosimplemnetimit të marrëveshjeve të kaluara të 27 shkurtit dhe aneksit të Ohrit”, ka thënë ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë 1.
Ndryshe ambasadori amerikanë në Kosovë Jeffry Hovenier, kishte thënë se druan nga tensionimi i situatës pas hyrjes në fuqi të rregullores së BQK-së.
Syznog, ka folur edhe për mbylljen e disa komunave paralele serbe në Kosovë.
Ai ka thënë se janë për evoluim të procesit, por që kjo duhet të bëhet përmes dialogut.
Madje ai ka thënë se këto problematike do ishin zgjidhur sikur të formohej Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
“Ne mendojmë që sistemi duhet të zhvillohet, evolojë, por ne edhe besojmë që kjo duhej të ishte bërë në formatin e dialogut. Ne mendojmë që këto probleme do të duhej të ishin zgjidhur , me anën e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ambasadori i BE-së.