Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Çfarë thanë përfaqësuesit e Rusisë, SHBA-së dhe Britanisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për Kosovën?

 
   

Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Kosova u kritikua për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës dhe për mospërfillje të ndikimit të saj te minoriteti serb në Kosovë. Megjithatë, ajo u vlerësua për periudhën e tranzicionit që ka premtuar për zbatimin e kësaj rregulloreje. Anëtarët e Këshillit të Sigurimit kërkuan që Kosova dhe Serbia të përkushtohen në dialog dhe të zbatojnë marrëveshjet, si dhe të përmbahen nga veprime të njëanshme që mund të rrisin tensionet. Serbisë po ashtu iu kërkua që të mbajë përgjegjës të përfshirët në sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Presidenti serb tha se me ndalimin e dinarit në Kosovë, pamundësohet funksionimi i institucioneve kyçe për serbët në Kosovë.

Me vendimin për ndalimin e transaksioneve të pagesës me dinarë, regjimi i Prishtinës drejtpërdrejt pamundëson çdo funksionim të të gjitha institucioneve mjekësore, arsimore, sociale, kulturore dhe të institucioneve tjera që u mundësojnë serbëve për t’i siguruar vetes dhe familjeve të tyre dispozitat themelore për të pasur arsim, për të marrë trajtim mjekësor, për të blerë medikamente”, tha Vuçiq.

Si Vuçiq, ashtu edhe përfaqësuesit e Rusisë dhe Kinës – shtete aleate të Serbisë – akuzuan Kosovën se me vendimin e dinarit, por edhe vendime të tjera, sikurse mbyllja e komunave që funksionojnë sipas sistemit serb, po kryejnë “spastrim etnik” ndaj serbëve në Kosovë.

Rusia, madje, tha se mund të ketë shpërthim të një konflikti të ri në Ballkanin Perëndimor, përderisa tërhoqi paralele mes situatës së palestinezëve në Gazë dhe serbëve në Kosovë.

Gjatë mbledhjes, shtete të ndryshme, sikurse Franca, Mbretëria e Bashkuar, Sllovenia si dhe Shtetet e Bashkuara, u bën thirrje palëve që të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Linda Thomas-Greenfield, përsëriti kërkesën e shtetit të saj që Kosova të pezullojë zbatimin e vendimit të BQK-së.

“Vendimi është marrë pa përgatitjen e duhur apo konsultime me popullatën lokale. Ne edhe një herë kërkojmë që zbatimi i rregullores të pezullohet derisa të ndërmerren të gjitha procedurat në linjë me standardet evropiane dhe praktikat e qeverisjes së mirë, dhe që popullata e prekur të informohet mirë për procesin”, tha ajo.

Edhe zyrtarë të tjerë amerikanë më herët kanë shprehur shqetësime për rregulloren e BQK-së, me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, që ka paralajmëruar se nëse Prishtina nuk dëgjon kërkesën e Uashingtonit, kjo mund të ketë ndikim në cilësinë e partneritetit mes dy shteteve.

Ambasadorja Thomas-Greenfield, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të mos ndërmarrin veprime përshkallëzuese dhe t’i kthehen dialogut.

“Ne u bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet e pakoordinuara dhe përshkallëzuese dhe u bëjmë thirrje të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, që SHBA-ja vazhdon ta mbështesë fuqishëm”, tha ajo.

Ambasadorja amerikane u ndal edhe te sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, kur një grup i armatosur serbësh sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një zyrtar policor. Gjatë përleshjeve që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Thomas-Greenfield qortoi Serbinë se ende nuk ka mbajtur përgjegjës personat e përfshirë në sulm, përfshirë edhe Millan Radoiqin, që ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

“Katër muaj kanë kaluar që nga sulmi dhe Serbia ende nuk ka mbajtur përgjegjës të përfshirët në planifikimin dhe ekzekutimin [e sulmit në Banjskë]. Lideri i vetëshpallur i sulmit është i lirë në Serbi”, tha Thomas-Greenfield.

Sa i përket Banjskës, Vuçiq tha se Serbia ka nisur procedurat hetimore dhe se do të ketë aktakuza ndaj personave përgjegjës.

Kosova e fajëson Serbinë për këtë sulm, të cilin e konsideron terrorist, dhe ka kërkuar edhe që Serbia të ekstradojë në Kosovë Radoiçiqin, i cili ka qenë nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – në kohën e sulmit, por që njoftoi dorëheqjen nga kjo parti në ditën kur mori përgjegjësinë për sulmin.