Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Më 13 shkurt mbahet konferenca mbi ecurinë e çështjes Januzi, Bahtjari dhe Shala

 
   

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është caktuar data për mbajtjen e konferencës mbi ecurinë e çështjes gjyqësore ndaj Sabit Januzit, Ismet Bahtjarit dhe Haxhi Shalës.

Sipas njoftimit të DhSK-së, kjo konferencë është caktuar për datën 13 shkurt 2024.

“Siç është njoftuar në kalendarin e gjykatës, konferenca mbi ecurinë e çështjes në çështjen e përbashkët kundër Sabit Januzit, Ismet Bahtjarit dhe Haxhi Shalës është planifikuar për të martën, 13 shkurt, në orën 10:00”, thuhet në njoftimin e DhSK-së.

Ndryshe, me 8 shkurt gjyqtari i procedurës paraprake Nicolas Guillou ka miratuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për bashkimin e aktakuzave të konfirmuara në çështjen gjyqësore ndaj Ismet Bahtjarit dhe Sabit Januzit me atë të Haxhi Shalës

Në vendimin për bashkimin e aktakuzave thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se dy aktakuzat e konfirmuara në rastin 10 dhe 11 i ngarkojnë tre të akuzuarit për vepra të njëjta penale duke specifikuar që kanë vepruar si grup.

Po ashtu, në vendim thuhet se vërehet që aktakuzat e konfirmuara në këto dy raste lindin nga të njëjtat pretendime faktike.

Në bazë të kësaj, gjyqtari ka vendosur që ZPS-së t’i jep leje për të ndryshuar aktakuzën e konfirmuar në rastin 10 duke iu referuar amendamentit të parë, ndërsa amendamenti i dytë u refuzua.

Gjithashtu, gjyqtari Guillou udhëzoi ZPS-në që të paraqesë një kërkesë për ndryshimin e aktakuzës së konfirmuar në rastin 10 sipas amendamentit të dytë por në përputhje me dispozitat e rregullores 86.

Pasi u miratua bashkimi i dy aktakuzave, Guillou vendosi se çështja e përbashkët do të vazhdojë me numrinKSC-BC-2023-10, i cili do të riemërohet në atë mënyrë që të përfshihen të tre të akuzuarit.

“….(ii) procesverbali i rastit 11 do të ndërpritet, por do të mbetet pjesë e procesverbalit të rastit të përbashkët iii) të gjitha të dhënat e reja do të dorëzohen (deklarimet, transkriptet, provat, korrespondenca) në procesverbalin e Rastit 10; (iv) Mbrojtja për z. Shala do të ketë qasje në të dhënat e Rastit 10, aq sa është e mundur; dhe (v) Mbrojtja për z. Januzi dhe z. Bahtijari do të ketë qasje në të dhënat e rastit 11, aq sa është e mundur”, thuhet ndër tjerash.

Ndryshe, mbrojtja e Ismet Bahtjarit, përmes avokatit Felicity Gerry KC ka dorëzuar pranë DhSK-së një mocion me anë të secilit ka kundërshtuar bashkimin e çështjeve “Bahtjari dhe Januzi” me atë të Haxhi Shalës.

Në mocionin e 23 janarit 2024 Gerry KC ka kërkuar nga gjyqtari i vetëm që të refuzojë mocionin e ZPS-së për bashkimin e dy çështjeve.