Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Delegacioni gjerman në Kosovë, temë diskutimi siguria në Ballkanin Perëndimor

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim një delegacion të Grupit të Evropës Juglindore të Parlamentit të Gjermanisë, të drejtuar nga Josip Juratoviq.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se në takim u diskutua për proceset aktuale në Kosovë, për marrëdhëniet midis dy vendeve dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror në fusha të ndryshme.

“Kreu i Kuvendit e njoftoi delegacionin parlamentar gjerman me proceset nëpër të cilat po kalon vendi dhe punën e institucioneve të Kosovës për përmbushjen e detyrave që dalin para tyre në këto procese, me theks të veçantë, në rrugëtimin për t’u bërë pjesë e strukturave euro-atlantike.

Kryetari Konjufca vlerësoi se Gjermania ishte në krah të Kosovës dhe qytetarëve të saj në çdo fazë të shtetndërtimit e të zhvillimit dhe potencoi rëndësinë e kësaj përkrahjeje në sfidat dhe objektivat që vendi ynë ka para vetes, në aspektin e brendshëm, ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.

Ndër të tjera, udhëheqësi i delegacionit të Bundestagut, Josip Juratoviq, duke falënderuar kryetarin Konjufca për pritjen, vlerësoi miqësinë midis dy vendeve dhe popujve tanë, përderisa konfirmoi vazhdimin e mbështetjes së vendit të tij për Kosovën edhe në të ardhmen.

Në një deklarim për media pas takimit, kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Arbëreshë Kryeziu – Hyseni, ka deklaruar se temë diskutimi me delegacionin gjerman ka qenë siguria në Ballkanin Perëndimor.