PDK-ja dhe LDK-ja në nivel të qeverisjes komunale në Prishtinë të enjten zyrtarisht kanë shkëputur koalicionin.
Ky vendim u mor nga PDK-ja, pas seancës së jashtëzakonshme ku u anulua vendimi për këmbimin e pronave në Badovc.
Tashmë LDK-ja me numrin e asamblistëve që ka nuk e përbën shumicën në Kuvendin Komunal.
Kësaj partie i duhet bashkim i forcave me ndonjë subjekt tjetër politik.
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë deklaruar se situata në komunën e Prishtinës nuk është e mirë dhe se ajo që ka ndodhur pas seancës të së enjtes shkon në dëm të qytetarëve të kryeqytetit.
Shefi i grupit të asamblistëve të kësaj partie, Bahri Gashi, po thotë se çështja e koalicionit është çështje e partisë.
Siç, shprehet ai ende nuk ka ndonjë informatë se a ka negociata për ndonjë koalicion të mundshëm.
“Zakonisht koalicionet janë çështje e partisë, jo e asamblistëve. Deri më tash unë si shef i grupit nuk kam ndonjë informatë se a ka negociata apo ka një ftesë prej LDK-së. Normalisht partia i merr vendimet e veta”, ka thënë Gashi.
Shefi i grupit të asamblistëve të kësaj partie, Bahri Gashi, ka thënë se pas situatës së krijuar në Komunën e Prishtinës me prishjen e koalicionit LDK-PDK ka mundësi që të bllokohen problemet e kryeqytetit.
Por, deklaron se do të japin kontribut që kjo mos të ndodhë.
“Situata është shumë e keqe pavarësisht të gjithave dhe ne si asamble dhe si asamblistë të Aleancës dëshirojmë me dhënë kontribut për mos me u blloku problemet e Prishtinës dhe tash ka mundësi me u blloku dhe me shku në drejtime jo të mira dhe pasojat i bartim ne që jetojmë këtu”, ka deklaruar ndër të tjera ai.
I pyetur se me këtë nuk e përjashton koalicionin e mundshëm, Gashi ka dhënë këtë përgjigje.
“Unë thash se nuk e përjashtoj mundësinë që do ta ndihmojmë në kalimin e proceseve ose të pikave me rëndësi për qytetarët dhe për qytetin e Prishtinës, por jo për koalicion sepse ajo është çështje ekskluzive e partisë”, është shprehur Gashi.
Shefi i grupit të asamblistëve të AAK-së, Bahri Gashi ka folur edhe marrëveshjen parazgjedhore që kanë pasur me LDK-në, duke treguar se kjo e fundit nuk e ka respektuar marrëveshjen dhe se për këtë nuk ka ndodhur koalicioni mes tyre në atë kohë.
“Ne kemi pas marrëveshje parazgjedhore dhe kur ka fitu Përparim Rama, LDK-ja bashkë me të nuk e kanë mbajt fjalën dhe nuk ka pas një vazhdim të koalicionit mes neve dhe atyre. Ata e kanë zgjedhë partnerin tjetër, është çështje e tyre. Ne si asamblistë e kemi mandatin katër vjet, ne kemi ndarë mendjen që nga fillimi se jemi opozitë dhe do të vazhdojmë si opozitë, pra nuk e kemi atë problem”, ka pohuar ai.
E, kur thotë se që nga fillimi e kanë ndarë mendjen që do të mbesin opozitë, e përsërit edhe njëherë se për koalicion ose jo vendos partia.
“Nuk mundem me ta komentua këtë sepse nuk e di si vendos partia. Deri më sot nga partia ende nuk jemi thirr në takim për këtë çështje dhe nuk mund të them asgjë”, ka shtuar Gashi.