Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Zëvendësministrja e MPJD-së: S’shoh ndonjë problem të rrezikimit të marrëdhënieve me aleatët

 
   

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, thotë se nuk ka asnjë rrezikim të marrëdhënieve me aleatët ndërkombëtar, për shkak të vendimit për dinarin. Sipas saj, askush prej miqve dhe aleatëve nuk e ka vënë në pikëpyetje rregulloren e re të BQK-së. Krahas kësaj, ajo bën të ditur se janë duke gjetur forma që të plasojnë një fushatë intensive për t’i njoftuar të gjithë qytetarët serbë të Kosovës për rregulloren e BQK-së.

Zëvendësministrja Gashi thotë se nuk pret të ketë masa të reja ndëshkuese ndaj Kosovës, derisa thekson se po punojnë vazhdimisht për t’i larguar ato aktuale.

Gashi: Do të bëjmë kampanja që komuniteti serb të njoftohet më mirë për vendimin e për dinarin

“Në kuadër të gjithë komunikimit që kemi pasur si qeveri e republikës së Kosovës e kemi shpjeguar shumë qartë se rregullorja ndërlidhet me një institucion të pavarur siç është Banka Qendrore e Kosovës(BQK). Normalisht se i marrim me shumë përkushtim të gjitha kritikat, sugjerimet, por mbi të gjitha edhe rekomandimet që vijnë tutje, në mënyrë që ne si qeveri me u siguru që kjo pjesa e tranzicionit të jetë shumë e hapur. Po ashtu edhe kampanjat që ne duhet t’i bëjmë në mënyrë që të gjitha komunitetet të njoftohen. Republika e Kosovës është mbi bazamentin e Kushtetutës së Kosovës, kapitulli 11 i Kushtetutës e thonë qartë se euro duhet të përdorët në vend”, thekson Gashi.

Pavarësisht kritikave të aleatëve ndërkombëtar për vendimin e dinarit serb, ajo thotë se nuk sheh ndonjë problem të rrezikimit të marrëdhënieve me të njëjtit.

Gashi: Nuk shoh ndonjë problem të rrezikimit të marrëdhënieve me aleatët

“Nuk shoh ndonjë problem të rrezikimit të marrëdhënieve me aleat. Kosova është vend i pavarur dhe sovran. Republika e Kosovës merr vendime e veta, normalisht se ne konsultohemi kohë pas kohe me partnerët tanë. Në këtë drejtim nuk shoh ndonjë problem, por ne duhet vetëm të respektojmë bazën që BQK-ja ka marrë vendim për këtë rregullore, po ashtu të gjejmë forma që të plasojmë kampanja sa më intensive në të gjithë territori, që qytetari i Kosovës t’i dijë këto ndryshime. Askush as prej aleatëve nuk e ka vënë në pikëpyetje vendimin e republikës së Kosovës. Kërkesa e vetme është që faza tranzitore të jetë më e gjatë, në mënyrë që të gjithë qytetarët të kenë informacionin e saktë dhe mos të pengohet asnjë proces i tyre”, thekson ajo.

Derisa potencon angazhimin për largimin e masave aktuale ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Gashi: Kosova është duke punuar aktivisht për largimin e masave

“Republika e Kosovës është duke punuar aktivisht për largimin e masave. Masat që janë në proces, janë masa të padrejta mendojmë ne. E kemi argumentu në të gjitha nivelet se këto masa nuk janë valide për Kosovën. Në këtë drejtim unë në asnjë moment nuk shoh masa të reja, ne presim që të largohen masat aktuale që janë. Ato masa ndërlidhen me disa kushte që tani nuk janë faktike në teren”, përfundon ajo.