Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sot nuk ka lajme…

Nga Lutfi Dervishi

Ajo që sot mendohet e pa imagjinueshme, – një ditë pa lajme ka ndodhur dikur, diku jo larg prej nesh.
Nëse kthejmë akrepat e orës pas dhe ndalemi: më 15 mars 1857; ditë e dielë; ditë pushimi. Lexuesit e një gazete u ndodhën para një mrekullie.

Në faqen e parë të gazetës italiane “Risorgimento” u shfaq vetëm një fjali: “Sot nuk kemi lajm me vlerë që të meritojë vëmendjen tuaj.”
Kjo fjali ishte dhe lajmi i ditës.
Ndryshe nga sot, atëherë, mungesa e lajmit ishte shkak për të festuar dhe jo për t’u dëshpëruar.

Sot është më lehtë të besosh se do të lësh pas në renditjen e njerëzve më të pasur të planetit Elon Musk-un, se sa të kesh një ditë pa “skandale”, një ditë pa “rrëfime”, një ditë pa “aksidente”, një ditë pa “shpërthime”, një ditë pa “thashetheme”, një ditë pa “spektakël”, një ditë pa “investigime”. Kjo ditë duket si ditë “parajse” mbi tokë. Një ditë që sot nuk guxon ta premtojë as një prift, asnjë hoxhë dhe madje asnjë lider!
Në kaosin e sotëm ku lajm është gjithçka; që nga “lufta në Ukrainë” e deri te “bombat” që shpërthejnë në rrjet nga fotot e modeleve/moderatoreve, që nga psherëtimat e politikanëve e deri te gërhimat e qenve duke parë televizion, një ditë pa lajme duket si …fundi i botës. Një fund më i tmerrshëm se parashikimet ogurzezë të konspiracionistëve.
Një ditë e zakonshme pushimi (e shtunë ose e dielë) nis me gjerbjen e kafesë dhe me konsumimin në ekran të të “rejave” më të fundit:
“Breaking news”: aksident me biçikletë në Lushnjë!
Lajmi i fundit: Tornado në Honolulu.
Titull kryesor: Lista e dëmshpërblimeve…
FLASH: Sot vendoset e ardhmja e Mbapes.
Plas bomba: tigri kërcënon…
Shpërthen rrjeti nga të pasmet e ….
Në epokën e komunikimit të menjëhershëm ku çdokush është gazetar vullnetar nuk imagjinohet dot e pamundura: një ditë e qetë. Cunami i ngritur mbi filxhanë kafeje në studio televizive prodhon lëndë të parë për rrjetet sociale dhe ushqim shpirtëror për baret dhe kafenetë. Është dita kur duhet të shohësh “live” deputetët duke shkuar në punë, vipat në big brother duke fjetur gjumë, makinat në trafik dhe zogjtë mbi teleferik.
Dikur- dikur lajmi më i rëndësishëm kumtohej nga telllalli, sot çdokush me një celular në dorë, jep njoftime të rëndësishme si çfarë po ha, çfarë po gatuan, si i ka prerë thonjtë, si duhen larë sytë dhe më e rëndësishmja si duhen fshirë duart dhe si dhe me çfarë duhet ushqyer macja.
Dikur-dikur njerëzit shikonin programe edukative në televizion, sot makabritetet, kronika e zezë dhe banalitetet e kanë kthyer atë që dikur quhej televizion, në terror-vizion.
Në këtë pavion të madh marrëzie ku lajm është gjithçka që të sheh kokërdhoku i syrit dhe shumëçka që të rrok rradakja, një orë pa internet nuk shihet si 60 minuta që ia vlen t’i jetosh, por si një paralajmërim se përpara kemi fundin e botës.
167 vjet më parë, gazeta “Ringjallja” i qetësoi lexuesit e vet me njoftimin se nuk ka ndodhur asgjë që ja vlen për t’i marrë vëmendjen atyre.
Sot beteja për vëmendje e ka lënë pas betejën për të pushtuar vende apo planete të tjera.
Sa kanë ndryshuar kohërat! Në fakt koha nuk ka ndryshuar. Është ajo që ka qenë. Kemi ndryshuar ne. Ose më saktë kanë ndryshuar shijet tona.
E imagjinoni dot, në këtë moment, se çfarë mund të bëjë njeriu një ditë pa “lajme”. Ka shumë të ngjarë të nisë të bëhet primitiv, të flasë me njerëz, të shijojë kafen dhe natyrën dhe larg qoftë të kalojë në veprime aspak dinjitoze si leximi i ndonjë libri apo thjesht të mendojë për diçka apo dikë…