Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sveçla kujton Balajn dhe Xheladinin: Ka mbetur shumë për të bërë që aspiratat e popullit të plotësohen

 
   

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kujtuar Mon Balajn e Arben Xheladinin në 17-vjetorin e vdekjes së tyre.

“17 vite më parë, pikërisht ditë e shtunë, ishim mbledhur paqësisht e masivisht për të kundërshtuar padrejtësitë që rrezikonin Kosovën dhe zhvillimin e mbarshëm të saj. Përmes kësaj proteste shprehëm vullnetin e popullit për liri e vetëvendosje dhe kërkonim sovranitet e pavarësi të plotë për vendin tonë. Turma jonë paqësore u ballafaqua me dhunën e padrejtë e të shfrenuar të policisë së UNMIK-ut. Plumba gome u drejtuan në kokat e trupat e protestuesve e nga ta u vranë Mon Balaj e Arben Xheladini teksa u lënduan mbi 80 protestues të tjerë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Sipas tij, Mon Balaj e Arben Xheladini janë dëshmorët e popullit për liri e vetëvendosje.

“Sakrifica e tyre është motivi ynë i përditshëm në shërbimin tonë ndaj vendit e ndaj qytetarëve tanë. 17 vite më parë, protestës sonë i printe e ju drejtua edhe Baca Adem Demaçi, veprimtaria e së cilit do të mbetet shembulli ynë më i mirë për ta ndjekur”, ka shtuar ai tutje.

“Vështirësitë dhe sfidat e tanishme konfirmojnë të drejtën dhe legjitimitetin e protestës së 10 shkurtit. Edhe pse kjo protestë solli ndryshim në atë kohë, akoma ka mbetur shumë për të bërë që aspiratat e drejta të popullit tonë dhe kërkesat e qarta të asaj proteste të plotësohen”, është shprehur ministri Xhelal Sveçla.