Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Zyra e Kryeministrit pas raportimeve për atentat ndaj Kurtit: Kërcënimet kanë lidhje me Beogradin

Plane për tentim vrasje ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti u raportuan gjatë qëndrimi të tij sot në Shkup.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu deklaroi se kërcënimet kanë lidhje me Beogradin dhe se kjo vjen pas fjalimit të Kurtit në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Kryeministri Kurti ka qëndruar mbrëmë në Shkup pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mbrëmë fillimisht pati një darkë me përfaqësues të partive simotra të Partisë së Socialistëve Evropian (PSE). Pastaj në mëngjes ishte i pranishëm në takimin rajonal pikërisht me udhëheqës të partive simotra të Partisë së Socialistëve Evropian, të organizuar nga Fondacioni Friedrich-Ebert-Stiftung (FES). Jemi të informuar se ka shumë kërcënime nga individë dhe struktura që kanë lidhje me Beogradin zyrtar”, tha ai.

Tutje, Kryeziu shtoi se nervoza në Beograd pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së i ka shtuar kërcënimet dhe agresivitetin ndaj kryeministrit.

“Në Shkup janë parë forca të shumta të rendit. Kryeministri nuk është ndjerë i kërcënuar. Gjithçka ka shkuar mirë gjatë qëndrimit të tij në Maqedoni të Veriut. Ai tashmë është në Kosovë dhe po vazhdon agjendën e tij”, tha ai.

Sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk është ndjerë i rrezikuar në Shkup, përkundër se ka mësuar se ka shumë kërcënime për të.

“Kam mësuar se ka shumë kërcënime nga individë e struktura që kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Mirëpo unë sapo erdha nga Shkupi, nuk jam ndjerë i rrezikuar, veçse kam parë shumë forca policore të cilët u kujdesen për mbledhjen në Shkup”, u shpreh ai për Telegrafin.

Ndryshe, sot RTK raportoi se burime të besueshme nga institucione të sigurisë në Kosovë kanë thënë se menjëherë pas mbledhjes së KS të OKB-së, kanë siguruar të dhëna se nga Serbia ka përpjekje për vrasjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit në Shkup, ku ka qëndruar mbrëmë.