Sipas mediumit publik të Kosovës, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është kërcënuar me vrasje, gjë e cila sipas RTK-së do të ndodhtë gjatë vizitës që Kurti do të zhvillonte mbrëmë në Shkup.
“Ka qenë një kombinacion operativ serb, ku janë gërshetuar mashtrimet mediale me veprimet në terren nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe”, ka thënë burimi i mediumit publik.
E vet kryeministri Kurti e ka konfirmuar se ka pasur kërcënime ndaj tij gjatë qëndrimit në Shkup.
“Unë kam mësuar se ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilët i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Mirëpo unë porsa erdha nga Shkupi këtu, nuk jam ndjerë i rrezikuar, veçse kam parë që kishte shumë forca policore të cilët u kujdesen për këtë mbledhjen që e mbajtëm në Shkup me këto partitë socialdemokrate”, ka thënë Kurti.
Se mund të ketë plane serbe për atentatin ndaj kryeministrit Kurti e thotë edhe eksperti i sigurisë, Drizan Shala.
“Sipas një informacione publike që Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti është rrezikuar jeta e tij personale pas paraqitjes në OKB, dhe si rezultat institucionet e sigurisë së Kosovës kanë rrit gatishmërinë por edhe është informuar pala maqedonase për info të tillë të rrezikimit dhe marrjes së masave adekuate që për sa kohë Kryeministri është në Shkup, t’i garantohet siguria me e lartë”, thotë Shala.
“Kërcënimet ndaj krerëve institucional nga elementet serbo-ruse janë në përditshmëri dhe mbi këto info organet në vend veprojnë duke shtuar masat e sigurisë”, shton eksperti Shala.
Ai thotë se institucionet e sigurisë duhet të ndërmarrin veprimet që sigurojnë sigurinë nacionale të Kosovës.
“Institucionet e sigurisë duhet të marrin veprime edhe në avancimin e mbrojtjes së udhëheqësve të partive parlamentare për mos lejuar që ndonjë veprim i këtyre strukturave të cenojnë sigurinë nacionale të vendit”.
Siç thotë Shala kjo është një vazhdimësi e luftës, që Serbia i ka shpallur Kosovës.
“Kjo është një luftë hibride që Serbia e ka targetu Kosovën në këtë periudhë. Po tej mase por që këto veprime mund te kemi edhe në vazhdimësi nga strukturat serbe të sigurisë me veprime kriminale. Institucionet ndërmarrin veprimet bazuar në cilësinë e informacionit dhe peshën e saj duke u koordinuar veprimet nder-institucionale në ngritjen e kapaciteteve adekuate në masa preventive të dukshme dhe të padukshme për opinionin publik”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i sigurisë Drizan Shala.