Një mosmarrëveshje mes dy personave në qebaptoren “Te Daja” në Deçan, të dielën në mbrëmje, ka eskaluar në rrahje dhe therje me thikë. Një 59-vjeçar u godit me mjet të mprehtë dhe për pasojë përfundoi në spital, teksa i dyshuari akoma nuk është kapur.
Siç merr vesh Sinjali, personi që po dyshohet lidhur me këtë rast është Enis Boshtraj, 46-vjeçar, i cili tashmë është shpallur në kërkim policor.
Boshtraj po dyshohet se fillimisht ka pasur një kacafytje me viktimën (emër i njohur për redaksinë) dhe më pas të njëjtin dyshohet se e ka therur me një brisk.
Për pasojë, viktima është dërguar në Emergjencë për trajtim mjekësor, ndërkohë që në vendin e ngjarjes janë kryer ekzaminimet e nevojshme.
Përkundër kërkimeve, i dyshuari nuk është hasur, por rasti është iniciuar, ndërsa veprimet e tjera do të ndërmerren posa të sigurohet prezenca e tij.
Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin edhe Policia Rajonale në Pejë.
“Raportohet se në një lokal pas një zënke verbale në mes të viktimës mashkull kosovar dhe të dyshuarit mashkull kosovar, kishte ardhur deri te kacafytja në mes të tyre me ç’rast viktima ka pësuar lëndime dyshohet se nga një mjet i mprehtë. Viktima është dërguar në Spitalin e Pejës për trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari ndodhet në kërkim policor. Rasti është duke u hetuar.“
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.