Këmbëngulja e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti për mos formimin e Asociacionit të Komunave serbe, pavarësisht kërkesave të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sipas disa analistëve në Kosovë mund të jetë arsye që Kosova të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Por sipas analistit Nexhat Haziri, Kurti do ta dërgojë vendin në zgjedhje të reja në momentin që ai e sheh më të favorshëm për të dhe Vetëvendosjen.
Nexhat Haziri
“Por ajo që do ta peshojë shumë Kurti, është se cila periudhë do të jetë më e favorshme për të që ta qojë vendin në zgjedhje, pasi opozita numerikisht është e pafuqishme që ta rrëzojë qeverinë Kurti dhe ta qojë vendin në zgjedhje. Andaj kurdo që z. Kurti i duket e përshtatshme për veten dhe organizatën e tij politike, do të kemi zgjedhje”, shprehet Haziri për “Bota sot”.
Ai thotë se shkuarja në zgjedhje të reja nuk varet nga formimin e Asociacionit të Komunave serbe.
“Ne veç jemi në vit zgjedhor dhe pres qe në pjesën e dytë të vitit të caktohet data e mbajtjes së zgjedhjeve të cilat do të mbahen në vjeshtën e vonë të këtij viti. Pra po hymë në një fazë ku nuk ka rëndësi formimi i AKS-së apo jo sa i përket procesit të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë”, thekson Haziri.
Për fund, Haziri deklaron se Kurti do ta përdorë çështjen e dialogut me Serbinë për qëllime të përfitimeve politike në zgjedhjet e radhës.
“Natyrisht që raportet me Serbinë , Kurti do t’i përdorë për ta rritur rajtingun e tij, mbase do të shohim edhe veprime të tjera të pakoordinuara me aleatët tanë që do të ndërmerren nga qeveria në pjesën veriore të vendit që Kurti do t’i përdorë për qëllime elektorale, siç ishte edhe sajimi i “atentatit” në Shkup, ditë më parë”, përfundon për “Bota sot”, analisti Nexhat Haziri.