Janë intervistuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dy të dyshuarit për vrasjen e 18-vjeçarit Lulzim Fejzullahu.
Kjo bëri që te Pallati i Drejtësisë të ketë forca të shumëta të policisë së Kosovës. Avokati i të dyshuarit Eltion Kadriu, Skender Musa ka folur për Gazetën.
Ai ka thënë se klienti i tij, nuk është në gjendje të mirë shëndetësore.
“Nuk i është keqësuar gjendja gjatë intervistimit në Prokurori. Gjendjen e ka pasë të keqësuar në aspektin emocional e psiqik prej momentit që e ka kuptuar se ka ndërruar jetë i ndjeri.”
Musa tutje ka thënë se klienti i tij, pra i dyshuari për vrasjen e Lulzimit është duke marrë medikamente.
“Është duke marrë medikamente që ia kanë përshkruar mjekët. Këtu veç ka shprehur keqardhje shumë, pak është emocionuar.”
Kush ishte dhe si u mbyt Lulzim Fejzullahu
Një ngjarje e rëndë ka tronditur vendin pasi një i ri humbi jetën pas një sulmi brutal nga disa persona. Lulzim Fejzullahu, 18 vjeçar, po trajtohej në njësinë e mjekimit intensiv në QKUK pas sulmit brutal. Ai ndërroi jetë në QKUK për shkak të lëndimeve të rënda të shkaktuara nga goditjet e forta në kokë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, Lulzimi ishte goditur me veturë dhe më pas është goditur me shkopinj bejsbolli, duke e lënë pa ndjenja.
Lulzimi po trajtohej në njësinë e mjekimit intensiv në QKUK, pasi ishte goditur me një veturë dhe më pas sulmuar me shkopinj bejsbolli në një përleshje fizike me disa të mitur. Përpjekjet e mjekëve t’i shpëtuar jetën e tij nuk patën sukses – ai ndërroi jetë gjatë ditës së ndjeshme.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik lidhur me rastin e dt. 15 janar 2024, në Podujevë, ku pas një përleshje fizike, dy të dyshuar (të mitur) e kanë goditur me një shkop viktimën (tashmë të ndjerin, 18 vjeç), duke i shkaktuar lëndime trupore, ku si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.” – thuhet ndër të tjera në njoftimin e Prokurorisë.
Ditën kur Lulzimit iu dha lamtumira e fundit. Gazetarja Besarta Hoti ka zbuluar detaje për personalitetin e Lulzimit, ku familjarë dhe të afërm kanë treguar se si Lulzimi ka qenë një person i qetë dhe aspak problematik.
Ai ishte detyruar të ndërpresë studimet për shkak të kushteve të rënda financiare. Punonte në një biznes gastronomie me një rrogë të vogël.
Pronari i lokalit ku ai kishte punuar e përshkroi Lulzimin si një punëtor të përkushtuar në vendin e punës.
“Ka qenë shembullor, shumë i urtë, asnjë vërejtje asnjëherë. Ka punu që një vjet e gjysmë. Asnjë vërejtje s’e kemi pas”, tha ndër të tjera pronari i lokalit në të cilin punoi Lulzimi.
Xhaxhaxi i 18-vjeçarit, Rrahim Fejzullahu gjithashtu, ka rrëfyer se si ndodhi gjithë ngjarja. Ai ka thënë se krejt konflikti nisi për radhën te frizeri, për çka më pas nipi tij vendosi të largohej nga lokali.
“Djali ka qenë pa dy prindër, ka qenë punëtor, rasti ka qenë një ditë përpara të shtunën, më 13 është hi qeta me i hjekë flokët, qëtu është një berber ku qethen e rruhen. Edhe janë rrokë për vend, jo ulësh ti para meje jo unë para teje, djali është nis me ardh prej shpie mos me u qeth hiç, edhe janë rrokë me krah në derë kah të dalin, si shqiptarët që e kanë traditë pse po më rrok me krahë, kush je ti çka je ti”, ka thënë Fejzullahu.
Pas këtij konflikti të çastit, dy personat e tjerë të mitur që u arrestuan për ngjarjen, kanë marrë mjete të forta. Fillimisht e kanë goditur me veturë, e më pas e kanë goditur brutalisht në kokë.
“Djali është nis me ardh prej shtëpie, ata e kanë përcjellë me kerr. Së pari janë shku kanë marrë stupca të bejsbollit, tani e kanë përcjellë qëtu, e kanë zënë te shtëpia aty, e kanë shkelë me kerr. E kur e kanë rrëzu djalin i kanë hi me shipka e qato të bejsbollit në krye, kështu që djali dje në ora 15:20 ka ndërruar jetë. Asnjë shenjë trupit se ka, veç në krye. Kjo është vrasje dy here, një here me kerr tani me stupc. As hak as hile s’iu kam pas, zoti hajr e baftë na ka ndodh, na ka zanë”, ka thënë më tutje xhaxhai i të ndjerit.