Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kryetarja e Kushtetueses s’flet për draft-statutin e Asociacionit: Mund t’i nënshtrohet shqyrtimit të gjykatës

 
   

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani nuk ka dashur të komentojë në lidhje me epilogun që mund të ketë vlerësimi i kësaj gjykate në statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Caka-Nimani u pyet mbrëmë në emisionin “Tempus” se si do të ndikojë aktvendimi i Gjykatës Kushtetuse i vitit 2015 në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në epilogun e statutit, drafti i ri i të cilit mund t’i nënshtrohet shqyrtimit në këtë gjykatë, që është kontrolli më i lartë mbi pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv në vend dhe interpretuesja më e lartë e dispozitave kushtetuese.

“Sa ndikon ky aktgjykim (2015) në epilogun e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që mund t’i nënshtrohet vlerësimit të kushtetutshmërisë në Gjykatën Kushtetuese?”, ishte pyetja që gazetari Betim Musliu ia shtroi kryetares së Kushtetueses.

“Unë e kuptoj pyetjen tuaj dhe gjithashtu e kuptoj edhe interesin publik lidhur me këtë çështje. Thënë këtë, duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj, në mbrojtje të parimit të vetëpërmbajtjes do të evitoj të përgjigjem rreth çfarëdo pyetje që mund të jetë objekt shqyrtimi potencialisht në të ardhmen nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës”, tha Gresa Caka-Nimani.

Propozimi i ndërkombëtarëve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës vitin e kaluar, përmban një dispozitë që parasheh se draft-statuti do t’i nënshtrohet shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese.

Në tetor të vitit të kaluar, kryeministri Albin Kurti ishte shprehur i gatshëm të nënshkruante për themelimin e Asociacionit sipas këtij draft-statuti, në një takim në Bruksel me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni. Ajo s’u bë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq refuzoi të nënshkruante.

Kurti ka thënë se ky draft-statut “është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, dhe që nëse do të nënshkruhej, aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë”.

As kryeministri, por as presidentja Vjosa Osmani s’kanë garantuar se draft-statuti i propozuar nga ndërkombëtarët s’e shkel Kushtetutën. Shefja e shtetit ka thënë se ka disa shqetësime për të, të cilit ka thënë se do t’ia dërgojë Kushtetueses kur ajo të merret me draft-statutin.