Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Suspendohet dhe arrestohet një polic, shkaktoi aksident trafiku në gjendje të dehur

 
   

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka suspenduar një polic në lidhje me një aksident trafiku të shkaktuar të martën në fshatin Novosellë të Pejës, në afërsi të terminalit doganor.

I njëjti është ndaluar për 48 orë.

Sipas njoftimit, hetuesit kishin dalë në vendin e ngjarjes dhe pasi i ishte bërë testi i alkoolit zyrtarit policor, që ishte jashtë detyrës zyrtare me veturë private, i njëjti është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprën penale “ngasje në gjendje të paaftë apo të dehur”.

“Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë pranuar një informacion nga Policia e Kosovës dje në orët e mbrëmjes përmes Linjës së Kaltër (numri i telefonit pa pagesë 080003333) lidhur me një aksident trafiku më lëndime trupore në mes dy automjeteve civile ku ishte përfshirë edhe një zyrtar policor (jashtë detyrës zyrtare me veturë private). Hetuesit e IPK-së me të pranuar informacionin kanë filluar të ndërmarrin veprimet fillestare hetimore në koordinim me prokurorin kujdestar. Sipas hetimeve fillestare, aksidenti është raportuar të ketë ndodhur dje në fshatin Novosellë të Pejës (në afërsi të terminalit doganor). Pas veprimeve hetimore dhe pas alkool testit me dyshimin se ka kryer veprën penale “Ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur” nga IPK është arrestuar i dyshuari (zyrtari policor) ndaj të cilit prokurori ka lëshuar aktvendim për ndalim për 48 orë. Si pjesë e procedurës administrative hetimore zyrtari policor është suspenduar nga puna. Veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente”, thuhet në njoftim.