Policia e Tiranës ka zhvilluar këtë të enjte një operacion për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të mbajtjes pa leje, të armëve të ftohta.
Në pranga kanë përfunduar dy vëllezër të cilët tregtonin lëndë narkotike, armë të ftohta dhe sende të kundërligjshme.
Në cilësinë e provës material u sekuestruan dhe doza kokaine e heroine, mjete për konsumimin e lëndëve narkotike, një shufër metalike, një detektues përgjuesish dhe 2 celularë.
Operacioni u zhvillua dhe me ndihmën e dronit, ku siç shihet dhe në videon e mëposhtme policia ka monitoruar momentin e shkëmbimit të lëndës narkotike.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në zbatim të planit të masave për kapjen e shtetasve në kërkim dhe të atyre që qarkullojnë me sende të kundërligjshme, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Brothers”.
Si rezultat u bë arrestimi i shtetasve A. K., 36 vjeç dhe M. M., 37 vjeç (vëllezër), të dy banues në Tiranë.
Gatë kontrolleve fizike ndaj tyre dhe kontrolleve në banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan sasi të lëndëve narkotike kanabis, kokainë dhe heroinë, mjete për konsumimin e lëndëve narkotike, një shufër metalike, një detektues përgjuesish dhe 2 aparate celularë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se dy vëllezërit, pasi siguronin lëndët narkotike, i ndanin ato në doza të cilat i shitnin më pas, në zonën e Alliasit”, thuhet në njoftimin e policisë.