Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kuvendi nuk arrin t’i miratojë amendamentet kushtetuese për vettingun

Kuvendi i Kosovës ka dështuar t’i miratojë amendamentet kushtetuese për vettingun, pasi nuk arriti të sigurojë numrin e nevojshëm të deputetëve për votim.

Në seancën plenare të pranishëm ishin 87 deputetë, vetëm tetë prej tyre ishin nga komunitetet joshumicë, ndërsa për votim duhet të jenë të paktën 14 deputetë për ndryshime kushtetuese.

Gjatë prezantimit të amendamenteve, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me tendencën për të penguar reformën në drejtësi.

Ajo ka theksuar se ky proces është penguar nga disa forca, ndërsa partitë opozitare kanë shfaqur mbështetje për ndryshimet me Kushtetutën, por kanë insistuar që Listën Serbe ta përfshijnë në këtë kontekst.

Kundërpërgjigjja ndaj kritikave të opozitës ka ardhur nga vetë ministria e Drejtësisë, e cila ka theksuar se amendamentet janë një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të institucioneve të drejtësisë dhe rikthimit të besimit të qytetarëve në këto institucione.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi, ka bërë thirrje për miratimin e këtyre ndryshimeve, duke theksuar rëndësinë e tyre për fuqizimin e drejtësisë.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka shprehur dyshime në lidhje me procedurat, duke thënë se në mungesë të Listës Serbe nuk mund të vazhdohet me votimin.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka insistuar për një sistem efikas të drejtësisë dhe ka vlerësuar se edukimi politik i mazhorancës aktuale është i limituar.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka shprehur mbështetjen e tij për amendamentet kushtetuese për vettingun, duke e vlerësuar si një hap drejt një drejtësie më të pavarur dhe efikase.