Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Opozita e shqetësuar për dëmtimin e raporteve me ShBA-në

 
   

Partitë opozitare, në Kuvendin e Kosovës janë shprehur të shqetësuara, siç thonë për dëmtimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. PDK, LDK dhe AAK kritikojnë qeverinë e Kosovës për mos koordinim me aleatët ndërkombëtarë.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, duke përmendur paralajmërimet e Ndihmës sekretarit të shtetit amerikan, James O’Brien se nëse ShBA-të nuk trajtohen si partner, as ata nuk do të trajtojnë Qeverinë e Kosovës si partnere, tha se shkëputja e partneritetit me ShBA-në nuk duhet të duhet të tejkalohet në heshtje dhe se ekzekutivi duhet të mbahet përgjegjës.

Tahiri: Është e papranueshme shkëputja e partneritetit me ShBA-në

“Kush do të kishte menduar që në 16-vjetorin e Pavarësisë, Kosova do të jetë vend i sanksionuar nga Bashkimi Evropian. Kush do të kishte menduar 16 vite më parë që në prag të përvjetorin të 16 të pavarësisë sonë marrim kërcënime më të ashpra nga qeveria amerikane për shkëputje të partneritetit tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është e papranueshme dhe pa tolerueshme. Kjo nuk mund të tejkalohet në heshtje”, tha ai.

Kritike u shpreh edhe deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, e cila akuzoi kryeministrin Albin Kurti, se po dëmton marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Krasniqi: Përveç sanksioneve ky pushtet ka dëmtuar marrëdhëniet edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Për tri vjet qeverisje ky pushtet arriti të bëjë atë që nuk e ka bërë askush më herët, duke kthyer vendin me dekada prapa. Këtë e bënë në shumë drejtime, nisur nga gjendja ekonomike, arsimore, shëndetësi, diplomaci dhe çka jo tjetër….Vendi sot ndodhet nën sanksione të Bashkimit Evropian nga moskoordinimi i kësaj qeverie me aleatët ndërkombëtar. Janë bllokuar projekte në vlerë 295 milionë euro… Përveç sanksioneve ky pushtet ka dëmtuar marrëdhëniet edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo kuptohet qartazi edhe nga deklarimet e tyre publike dhe mesazhet që përcjellin ndaj kësaj qeverie të papërgjegjshme”, theksoi ajo.

Në anën tjetër, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se përveç përkeqësimit të raporteve me miqtë dhe aleatët ndërkombëtar, qeveria e ka sjell ekonominë e vendit pranë kolapsit.

Tahiri: Ekonomia është para kolapsit

Ekonomia është para kolapsit. Ju jeni deputetë të komunave të ndryshme, diskutoni me ta. Ka një situatë emergjente e cila është ka vjen në buzë të një katastrofe të shtetit të Kosovës. Bankrotoi total dhe mosreflektimi absolut të qeverisë”, theksoi Tahiri.

Pas përfundimit të deklarimeve jashtë rendit të ditës, nuk pati pjesëmarrje të mjaftueshme të deputetëve në sallën plenare për të votuar marrëveshjen ndërkombëtare. Për këtë arsye, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca vendosi që Kuvendi të shkoi në pauzë deri në orën 15:00.