Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Mungon e dëmtuara, dështon të nisë gjykimi ndaj gjinekologut dhe tjetrit të akuzuar për ndërprerjen e palejuar të shtatzënisë

Mungesa e të dëmtuarës J.M., u bë shkak që shtyhet seanca fillestare në rastin ku gjinekologu Agron Devaja dhe i akuzuari tjetër Shpetim Mustafa po akuzohen për ndërprerje të palejuar të shtatzënisë.

Lidhur me mungesën e të dëmtuarës J.M., gjykatësi i rastit Dibran Jusufi tha se deri në kohën e mbajtjes së kësaj seance, gjykata nuk ka dëshmi se e njëjta ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt.

Kurse, të pranishëm në këtë seancë ishin prokurorja Ajshe Ferati, të akuzuarit Dejava dhe Mustafa si dhe mbrojtësi i të akuzuarit Mustafa avokati Shemdi Bunjaku.

Në këto rrethana, seanca e sotme u shty, kurse gjykatësi Jusufi bëri të ditur se për të dëmtuarën J.M. gjykata do të lëshojë urdhëresë për verifikim të adresës me dorëzim personal të ftesës për seancë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 31 maj 2021, ka përpiluar aktakuzën me të cilën i ngarkon Agron Dejavën dhe Shpetim Mustafën për ndërprerje të palejuar të shtatzënisë.

Sipas aktakuzës, më 4 nëntor 2019, më ordinancën gjinekologjike Poliklinika “Shëndeti im”, në Prishtinë, i pandehuri Mustafa në bashkëkryerje me të pandehurin Dejava i cili në cilësinë e doktorit gjinekolog në kundërshtim me ligjin për ndërprerjen e shtatzënisë dhe me pëlqimin e gruas shtatzënë, i kanë ndihmuar të dëmtuarës J.M. në ndërprerjen e shtatzënisë.

Ndërsa i pandehuri Mustafa në emër të pagesës për shërbimin e kryer nga i pandehuri Devaja të njëjtit i kishte dhënë shumën prej 1 mijë e 500 euro.

Me këto veprime të pandehurit Dejava e Mustafa akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Ndërprerja e palejuar e shtatzënisë” nga neni 178 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në tre vjet.